Rreth 281 milionë euro më pak mallra nga Serbia në Kosovë

Rreth 281 milionë euro më pak mallra nga Serbia në Kosovë

Ekonomia August 15, 2019 - 18:50
Lexoni detajet

Meqenëse plani i serbëve të veriut dhe i shtetit të Serbisë për “katastrofë humanitare” në komunat veriore të Kosovës ka dështuar, pas vetëm dy ditësh dyqanet në atë pjesë të vendit janë stërmbushur me mallra nga Serbia. Vuçiqi ka pranuar se furnizimi ka shkuar nëpërmes kontrabandës, ndërkaq ministri serb i Tregtisë Rasim Lajiq ka numëruar dëmet që ka pësuar shteti serb për nëntë muaj të aplikimit të taksës në importin e produkteve serbe, shkruan Gazeta "Zëri". 

Në anën tjetër ministri serb i Tregtisë së Serbisë, Rasim Lajiq, ka vazhduar të vajtojë për dëmet që i bëhen shtetit të Serbisë nga taksa 100 për qind e vendosur në importin e produkteve serbe.

“Nga nëntori i vitit të kaluar, nga momenti kur Prishtina vendosi taksën prej 100 për qind në produktet nga Serbia vazhdojnë vërejtjet, thirrjet, bindjet dhe konstatimet se ato janë të papranueshme”, ka thënë Lajiq për televizionin shtetëror serb RTS, ndërsa përcjell “Kossev” në veri.

Sipas tij, nga atëherë është dërguar më pak mallra në Kosovë në vlerën rreth 281 milionë euro.

“Nga 21 nëntori i vitit të kaluar deri më 8 gusht, do të thotë për 261 ditë, janë dërguar më pak mallra në Kosovë në vlerën prej 280.800.000 eurosh. Kjo do të thotë se në ditë dërgojmë më pak mallra në Kosovë për 1.075.000 euro, andaj ky është dëm i madh në kuptimin financiar për Serbinë. Në të gjithë po harrojmë se në periudhën e njëjtë kur nuk ka pasur taksë në Kosovë kemi eksportuar mallra në vlerë 440 milionë euro. Vlerësimet janë se këtë viti do të shkonte edhe në 500 milionë euro dhe kjo sigurisht se do të realizohej”, ka sqaruar Lajiq. /ZERI