Rruga që lidh 27 fshatra të Artakollit të Vushtrrisë përfundon për 8 muaj
FOTO: Zëri

Rruga që lidh 27 fshatra të Artakollit të Vushtrrisë përfundon për 8 muaj

Ekonomia August 19, 2019 - 08:22
Lexoni detajet
Image

Kompania që ka fituar tenderin për ndërtimin e rrugës “R220” ka vazhduar punimet në segmentin e rrugës nga Pestova deri në Prelluzhë, ndërsa ka filluar rindërtimi i segmentit të rrugës “R220”, Obiliq – Plementin - Prelluzhë. Për rrugën 18-kilometërshe Qeveria e Kosovës ka ndarë 1.9 milion euro. Ministria e Infrastrukturës ka siguruar se komplet projekti do të përfundojë për 250 ditë, ose deri në prillin e vitit 2020, shkruan sot gazeta "Zëri".

Vushtrri. Kanë vazhduar punimet në rrugën 18-kilometërshe “R220”, e cila lidh 27 fshatra të Artakollit të Vushtrrisë me fshatrat e Obiliqit dhe më tutje me Prishtinën. Tani kanë filluar punimet në segmentin e rrugës “R220” nga Bukoshi në Prelluzhë, në gjatësi prej 10 kilometrash. Segmenti tjetër i kësaj rruge, Prelluzhë – Plemetin – Obiliq, gjithashtu ka filluar të realizohet.

LEXO EDHE: Kontrabanda në veri, para vrasjes së Ivanoviqit

Ky i fundit synon të ndikojë në përmirësimin e kushteve për zhvillim ekonomik të asaj pjese. Këto dy segmente ku janë duke u zhvilluar punimet i kanë inspektuar ministri dhe zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit i Republikës së Kosovës Pal Lekaj, përkatësisht Ruzhdi Kadriu. Lekaj ka thënë se ministria që ai drejton, përveç realizimit të projekteve të rrugëve, është përkushtuar edhe që t’i mirëmbajë rrugët ekzistuese.

Rruga “R220”, segmenti Obiliq – Plemetin - Prilluzhë, ka gjatësi prej 3 kilometrash dhe është duke u realizuar në kuadër të projekteve të mirëmbajtjes së rrugës.ve.

Ndërkaq zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit i Republikës së Kosovës, Rexhep Kadriu, ka konfirmuar se rruga 18-kilometërshe Bukosh - Gllavotin ka koston prej rreth 2 milionë eurove dhe se do t’i lidhë fshatrat e Artakollit të komunës së Vushtrrisë me ato të Obiliqit dhe më tutje me fshatrat e Prishtinës. “Kjo arterie do t’i lidhë rreth 17 fshatra të tri komunave, Mitrovicë, Vushtrri dhe Obiliq. Punimet do të përfundojnë në afat prej 250 ditësh. Gjatësia e këtyre traseve është 10 kilometra, dinamika e kryerjes së punimeve është diku 250 ditë, për një javë përfundon shtresa e parë, pasi kjo rrugë është se projektuar do të bëhet me 2 shtresa asfalt”, ka thënë Kadriu.

Në anën tjetër, ngarkesa e madhe e rrugës magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, për shkak të rritjes së fluksit të makinave, por edhe për shkak të punimeve që po bëhen nga Ministria e Infrastrukturës, ka shtyrë Komunën e Vushtrrisë që të gjejë rrugë alternative. Komuna e Vushtrrisë u ka bërë thirrje shoferëve të automjeteve nga Vushtrria, por edhe nga Mitrovica që të përdorin rrugë alternative rrugën “R220” Pestovë - Bukosh dhe anasjelltas, me qëllim që t’i shmangen ngarkesës dhe ta lehtësojnë komunikacionin.

Rreth 2 milionë euro i ka investuar Qeveria e Kosovës për asfaltimin e rrugës 18-kilometërshe, që lidh fshatrat e komunës së Vushtrrisë me ato të Obiliqit dhe më tutje me Prishtinën, e cila është ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë dhe ishte e vetmja në komunën e Vushtrrisë që kishte mbetur pa u rindërtuar. Kjo rrugë, e cila ishte ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë dhe në të cilën nuk ishte intervenuar për ta sanuar as pas përfundimit të luftës, ishte bërë problem i madh për banorët e shumë fshatrave të asaj pjese, pasi që për shkak të gropave ishte bërë e pakalueshme edhe për automjetet.

Me fillimin e punimeve në segmentin e parë Nevolan – Pestovë kishin dalë disa probleme me shpronësimet, gjë që kishin zvarritur punimet. Tani pjesa e rrugës nga Nevolani e deri në Pestovë është asfaltuar. Problemi më i madh ka mbetur ura në Pestovë, e cila ka përfunduar, por për shkak të problemeve me pronësimin ajo ende nuk është hapur. Kalimi nëpër një urë të drunjtë e shumë të vjetër është bërë rrezik për drejtuesit e automjeteve. Së fundi Komuna e Vushtrrisë ka vendosur që ta riparojë urën e drunjtë vetëm për t’i ikur rrezikut.

Kryetari i fshati Nevolan, Agron Lushaku, u kishte bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos pengojnë ndërtimin e rrugës dhe që t’i tejkalojnë problemet me shpronësimet. Rruga “R220”, që lidh fshatrat e Artakollit të Vushtrrisë me fshatrat e Obiliqit dhe ato të komunës së Prishtinës, ka qenë dashur të fillojë në vitin 2017, kur Ministria e Infrastrukturës kishte premtuar 800 mijë euro dhe të përfundojë në vitin 2019, por projekti ka filluar të realizohet në vitin 2018 e tani pritet që komplet projekti të përfundojë për 250 ditë, ashtu siç kanë premtuar drejtuesit e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Transportit./ZERI