AKU bllokon 387.1 tonë mish që vinte nga Brazili dhe Kanadaja

AKU bllokon 387.1 tonë mish që vinte nga Brazili dhe Kanadaja

Ekonomia August 23, 2019 - 12:04
Lexoni detajet

 387.1 tonë mish janë ndaluar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për shkak se nuk kishin dokumentacionin e nevojshëm ose ka rezultuar me salmonelë. 234.5 ton mish janë kthyer në vendin e origjinës dhe 152.6 ton të tjera janë në proces për kthim.

Si rezultat i kontrolleve janë kthyer:

Tre ngarkesa me sasi totale 74.946 ton “Mish Derri” me origjinë nga Kanadaja rezultuan se nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore dhe kishin mangësi në besueshmërinë e dokumentacionit shoqërues (kryesisht të certifikatës veterinare si dokumenti kryesor i sigurisë së produktit si dhe certifikatat e analizave raportonin prezencë Ractopaminë, një produkt mjekësor veterinar i paregjistruar dhe i ndaluar për përdorim në Shqipëri dhe në BE)

Dy ngarkesa me sasi totale 52.257 ton “Mish Viçi” me origjinë nga Brazili në regjim tranzit në territorin e Shqipërisë me destinacion final Kosovën, rezultuan me mangësi dhe mospërputhje thelbësore në dokumentacionin shoqërues të mallit (çertifikata e origjinës dhe ajo veterinare mbanin të dhëna të ndryshme nga dokumenti i transportit dhe fatura komerciale) çka e bën mallin ushqimor të importuar pa identitet të konfirmuar dhe të pasigurt për konsum.

Më herët, analizat e kryera për disa nga ngarkesat me produkte ushqimore mish të importuar rezultuan me ngarkesë mikrobiologjike (analizat laboratorike raportuan prezencën e Salmonella spp) dhe si rrjedhojë, produkti ushqimor i importuar me këto ngarkesa është i pasigurt dhe i papërshtatshëm për konsum njerëzor. Për ketë arsye AKU vendosi kthimin e këtyre ngarkesave në vendin e origjinës, më konkretisht:

Katër ngarkesa me sasi totale 107.240 ton “Mish derri” me origjinë nga Brazili është finalizuar praktika dhe ngarkesat janë kthyer në vendin e origjinës.

Gjashtë ngarkesa (152.631 ton në total) janë në proces përmbyllje praktike për kthimin ne vendin e origjinës ose asgjësim, më konkretisht:

  • 51.984 ton “Mish Derri” me origjinë nga Brazili,
  • 27 ton “Fileto Pule” nga Brazili,
  • 25.999 ton “Mish Derri” nga Brazili,
  • 22.648 ton “Mish Viçi” nga Brazili,
  • 25 ton “Mish Derri” me origjinë nga Qipro,

dhe me finalizimin e praktikës për kthimin ne vendin e origjinës ose asgjësim, rezultati do të njoftohet në rrjetin Europian të shkëmbimit të informacionit mbi rreziqet që lidhen me ushqimin.