Murati: Normat e interesit për kredi hipotekare të larta në Kosovë

Murati: Normat e interesit për kredi hipotekare të larta në Kosovë

Ekonomia August 24, 2019 - 16:08
Lexoni detajet

Bankat kanë gjetur një treg të përshtatshëm në Kosovë, pasi edhe më tej vazhdojnë të jenë sektori më fitimprurës në vend. Në raportin e stabilitetit financiar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thuhet se vlera e profitit neto të bankave gjatë vitit 2018 ka arritur në 88 milionë euro, që do të thotë se profiti i sektorit bankar i Kosovës shënoi rritje vjetore prej 3 për qind, shkruan Gazeta "Zëri". 

Në këtë fitim, që vlerësohet të jetë mjaft i madh, ka ndikuar rritja e të hyrave nga interesi, qarkullimi voluminoz i parasë dhe çmimet e larta të produkteve të shërbimeve bankare.

Po ashtu, sipas BQK-së, norma mesatare e interesit në kredi u zvogëlua në 6,6 për qind, ndërsa ajo në depozita u ngrit lehtësisht në 1,3 për qind.

Eksperti për çështje financiare Hekuran Murati ka thënë për “Zërin” se normat e interesit në vend vazhdojnë të jenë të larta. Ai ka deklaruar se si pasojë e trendit global, tarifat për shërbime bankare kanë shënuar rritje.

“Normat e interesit vazhdojnë të mbesin relativisht të larta, sidomos për kreditë hipotekare. Kjo ndodh në një kohë kur në Eurozonë tashmë kanë filluar të jepen kredi edhe me norma negative të interesit. Megjithatë, vërehet një trend rënës përgjatë pesë vjetëve të fundit, që me sa duket ka filluar të konsolidohet sivjet. Në anën tjetër, për dallim nga normat e interesit, tarifat për shërbime kanë pësuar rritje enorme gjatë këtyre viteve. Kjo vjen si pasojë e një trendi global që bankat të diversifikojnë burimet e të hyrave dhe të mos jenë shumë të ekspozuara ndaj lëvizjeve të normës së interesit”, ka thënë ai për 'Zërin'. 

Murati ka thënë më tej se kostoja e lartë në kreditim pengon edhe ekonominë e vendit.

“Kostoja e lartë në kreditim është pengesë në ekonominë e vendit, sepse zvogëlon mundësinë për investime dhe gjenerim të aktivitetit ekonomik. Kurse kostoja e lartë e shërbimeve tjera në anën tjetër përjashton shtresat e varfra nga të pasurit qasje në bankim, gjë që po ashtu është kontribuues negativ në ekonominë e vendit”, ka shtuar ai. /ZERI