"Kosova ka potenciale për eksporte më të mëdha në SHBA"

Ekonomia shtator 15, 2019 - 10:34
Detajet

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se vendi ynë ka potenciale më të mëdha për të eksportuar drejt SHBA-së.

Ai tregon se investimet amerikane në Kosovë janë në top dhjetëshen e investimeve të huaja.

“Tek investimet duhet të bëhen dy dallime, e para është ato investime që bëhen nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës qoftë përmes USAID qoftë përmes fondeve që ndahen nga Zyra e Sfidave të Mijëvjeçarit të cilat kanë një destinim tjetër, të cilat pashmangshëm prekin edhe sektorin privat, qoftë përmes reformave të të bërit biznes. Programet e USAID kanë pasur një ndikim të madh viteve të fundit dhe vazhdojnë të kenë ose në promovimin e eksporteve, qoftë edhe në aspekte të tjera siç janë të Zyrës së Sfidës së Mijëvjeçarit në promovimin e energjisë eficiente dhe të njëjtën kohë edhe në promovimin e burimeve alternative të energjisë elektrike”, tregon ai.

Zeka thotë se kërkohet angazhim më i madh i institucioneve përgjegjëse për të promovuar investimet në Kosovë.

“Në anën tjetër për sa i përket investimeve private amerikane, këtu kemi një prani tjetër të shprehur në shifra. Nga 200 milionë euro investime të huaja, investimet amerikane bëjnë pjesë në top dhjetëshen të investitorëve të huaj, diku me rreth 20 milionë euro, gjë që lë shumë për të dëshiruar në të ardhëm dhe kërkon një angazhim edhe të institucioneve përgjegjëse që merren me promovimin e investimeve në Kosovë por edhe neve si Odë Ekonomike Amerikane. Në të njëjtën kohë eksportojmë, ku kemi disa kompani kosovare që eksportojnë produktet e tyre “Made in Kosova” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që nuk e tejkalojnë shumën prej dy milionë euro. Ne besojmë se ka potenciale për eksporte më të mëdha në SHBA. Produktet që na eksportojmë kryesisht janë verërat, produktet e kafes së pjekur dhe janë disa komponentë automobilistike”, thotë Zeka.

Ai shton se vendi ynë ka potenciale më të mëdha për të eksportuar në SHBA.

“Besoj se duke pasur parasysh zhvillimet pozitive në sektorin e prodhimit në vendin tonë, ka hapësirë për promovim më të madh të produkteve tona në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në amën tjetër kemi kompani tregtare që importojnë dukshëm disa produkte me origjinë nga SHBA-ja”, shton ai.

Në këtë intervistë, Zeka ka folur edhe për ndikimin e zgjedhjeve të parakohshme në ambientin e të bërit biznes në Kosovë.