BE-ja prish kontratën 5-milionëshe për ndërtimin e deponisë në veri

BE-ja prish kontratën 5-milionëshe për ndërtimin e deponisë në veri

Ekonomia October 14, 2019 - 08:18
Lexoni detajet
Image

Sipas një njoftimi të Zyrës së BE-së në Kosovë, të cilin e përcjellin mediet lokale serbe, prishja e kontratës me kompaninë bullgare “Buildin Development Hoding” është bërë për shkak të ngecjeve të mëdha në realizimin e projektit, që është dashur të përfundojë në nëntorin e vitit 2018. Deponia rajonale e mbeturinave në “Savina Stena”, në veri, është paraparë të deponojë mbeturina për 200 mijë banorë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Mitrovicë. Zyra e BE-së në Prishtinë ka ndërprerë kontratën me një kompani që ka filluar realizimin e projektit të deponisë rajonale të mbeturinave për komunat veriore të Kosovës në vendin e quajtur “Savina Stena”. Sipas medieve lokale serbe (TV Most), prishja e kontratës është bërë për shkak se BE-ja, e cila ka investuar 5 milionë euro në këtë projekt, nuk është ndarë e kënaqur me dinamikën e punëve që janë duke u zhvilluar dhe ngecjeve të shumta.

LEXO EDHE: Helmimi çrregullon procesin e verifikimit të votave

Ngecje të mëdha të kryesit të punëve

“Për shkak të përparimeve të vogla në kuptimin e punëve në ndërtimin e deponisë dhe për shkak të kapaciteteve të vogla në realizimin e planit të projektit nga ana e kryesit të punëve, Zyra e BE-së ka ndërprerë kontratën dhe ka realizuar marrëveshjen me kryesin e punëve që punët t’i jepen palës së tretë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së. Bëhet fjalë për kompaninë bullgare BDH. Sipas njoftimit, tani është në proces bartja e kontratës dhe se rifillimi i punimeve ka qenë dashur të bëhet në shtator ose më së voni nga mesi i tetorit. Projekti 5-milionësh financohet nga BE-ja, ndërsa si mbështetje teknike shtesë për përmirësimin e mbledhjes dhe bartjes së mbeturinave për komunat veriore të Kosovës është realizuar me ndihmën e BE-së dhe të GIZ-it në shumën prej 1.2 milion eurove. Rreth 415 mijë euro janë siguruar nga Fondi për Zhvillimin e Veriut.

Koordinatorja për projekte në Komunën e Zveçanit, Jelena Gjokiq, ka thënë se projekti për ndërtimin e deponisë rajonale të mbeturinave “Savin Stena” është në fazën përfundimtare.

Në anën tjetër Instituti Territorial për Zhvillim Ekonomik – InTER në veri të Mitrovicës ka vlerësuar se deponia rajonale e mbeturinave në “Savina Stena” në veri për të qenë ekonomikisht e qëndrueshme duhet të pranojë mbeturina për 200 mijë banorë, ndërsa tri komunat veriore, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Leposaviqi, kanë rreth 50 mijë banorë. Gjendja me deponimin e mbeturinave ishte vështirësuar sidomos në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan pas mbylljes së deponisë në Ballaban në vitin 2012, atëherë kur komuna veriore e Mitrovicës nuk ka pasur më hapësirë për t’i vendosur mbeturinat dhe në mungesë të hapësirës ato i dërgonte në Zubin Potok, ku ndodhet një deponi operative në “Lucka Reka”.

Projekti ishte paraparë të jetë i gatshëm në nëntor të vitit 2018

Në mënyrë që për një kohë të gjatë të zgjidhet problemi me mbeturina për komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, BE-ja në vitin 2014 ka mbështetur një projekt për ndërtimin e një deponie rajonale në vendin e quajtur “Savina Stena”, e cila ndodhet në mes të Zveçanit dhe Leposaviqit. Ndërtimi i deponisë do të duhej të përfundonte në nëntorin e vitit 2018, por punët janë zvarritur për shkak të shumë problemeve, sidomos me shpronësimin për një rrugë që çon deri te deponia. Me projekt është parashikuar që sipërfaqja e deponisë të jetë 300 me 100 metra, plus objekti ndihmës, ndërsa kapaciteti i deponisë është 720 mijë metra katrorë. Projekti ka filluar të realizohet më 12 prill 2016, ndërsa përfundimi i punimeve ishte paraparë të jetë nëntori i vitit 2018.

Deponinë rajonale të mbeturinave dhe të mbetjeve medicinale në “Savina Stena” do ta shfrytëzojnë katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku. Punët në ndërtimin e deponisë ka qenë duke i kryer kompania bullgare “Buildin Development Hoding”, ndërsa mbikëqyrës është EPEM-i grek. Vlera e projekti është saktësisht 5.247.000 euro, ndërsa financohet komplet nga Zyra e BE-së në Kosovë. Deponia rajonale e mbeturinave do të funksionojë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Në dy vitet e para me deponinë do të menaxhojë ekipi i zgjedhur nga Komisioni Evropian e më pastaj menaxhim do ta marrë Komuna e Zveçanit. Në këtë deponi do të punësohen 80 njerëz, të cilët do të punojnë në riciklimin e mbeturinave dhe punë të tjera. Nënshkrues për shfrytëzimin e kësaj deponie janë katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.

Komponenti ekonomik i deponisë, i diskutueshëm

Instituti Territorial për Zhvillim Ekonomik – InTER në veri të Mitrovicës ka konstatuar se funksionimi dhe mirëmbajtja e deponisë rajonale të mbeturinave në “Savina Stena” ka ardhur në pikëpyetje për shkak se nuk dihet akoma se kush do ta financojë atë.

“Për të qenë puna profitabile dhe e suksesshme është e domosdoshme të mblidhet një sasi e konsiderueshme e mbeturinave, që do të përpunoheshin dhe të shiteshin në formë të riciklueshme. Duke pasur parasysh situatën në veri të Kosovës, nga ky aspekt shihen probleme të funksionimit dhe mirëmbajtjes së deponisë. Sasia e mbeturinave që mblidhet në tri komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq, nuk është e mjaftueshme për të qenë deponia ekonomikisht e qëndrueshme. Që të jetë e qëndrueshme, atëherë është e nevojshme që deponia të ‘pranojë’ mbeturina nga të paktën 200 mijë banorë, ndërsa numri i banorëve të këtyre komunave është rreth 50 mijë. Ndonëse komponenti ekologjik është plotësuar nëpërmes realizimit të projektit të deponisë, çështja është se në ç’mënyrë do të vazhdojë komponenti ekonomik pas përfundimit të financimit nga BE-ja”, ka vlerësuar InTER-i. Sipas këtij vlerësimi, dokumentet e këtij projekti nuk janë prezantuar në opinion, andaj edhe nuk dihet se si është parashikuar financimi i mëtutjeshëm dhe funksionimi i deponisë. “Ka shenja që financimi do të mundë të sigurohej me mbështetjet në formë të subvencioneve nga ana e qeverive lokale ose e nivelit qendror në Kosovë. Problemi tjetër shihet në funksionimin e ndërmarrjeve publike komunale (komunalive) në veri të Kosovës, posaçërisht statusi i tyre pas përfundimit të deponisë. Sistemi kosovar nuk i njeh ndërmarrjet komunale publike të regjistruara me sistemin e Republikës së Serbisë, andaj është më së e nevojshme që të vendoset se si do të funksionojnë këto ndërmarrje, të cilat aktualisht kanë kompetencën për mbledhjen e mbeturinave në veri të Kosovës. Këto ndërmarrje shërbyese komunale nuk shërbejnë vetëm për mbledhjen e mbeturinave, por edhe për shërbimet e furnizimit me ujë, mirëmbajtjen e ambientit dhe zonave të gjelbëruara”, thuhet mes të tjerash në raportin e InTER-it. Sipas InTER-it, sasia e mbeturinave për kokë banori në Kosovë ka shënuar rritje. Derisa në vitin 2008 sasia e mbeturinave për kokë banori ka qenë 0.5 kilogram, në vitin 2013 sasia e mbeturinave për kokë banori në Kosovë ka qenë mesatarisht ka pasur 0.9 kilogram./ZERI