“Superdekani” merr shtesa dyfish më shumë se paga baza

“Superdekani” merr shtesa dyfish më shumë se paga baza

Ekonomia nëntor 16, 2019 - 18:50
Lexoni detajet

Te disa profesorë në pozita menaxheriale në universitetet publike në Kosovë marrja e shtesave po tejkalon dyfishin e rrogës së tyre bazë. Vetëm shtesat e pesë profesorëve me pozita menaxheriale sillen prej 1805 eurosh, duke e tejkaluar kështu pagën maksimale prej 1492 eurosh, shkruan sot gazeta "Zëri".

Dekanët, prodekanët, rektorët dhe prorektorët në universitetet publike në Kosovë janë duke marrë paga të majme mujore nga puna e tyre në këto institucione. Kontribut në rritjen e këtyre pagave janë duke dhënë edhe shtesat, të cilat arrijnë dyfishin e pagës bazë. Duke u bazuar në rezultatet e një raporti të publikuar nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), të ardhurat e stafit menaxherial në universitetet publike në Kosovë janë më të larta se paga e presidentit, siç parashihet ta ketë me ai Ligjin e ri për Paga.

Pagat bazë për stafin akademik të universiteteve publike në Kosovë janë nga 772 euro (asistent) deri në 1.429 euro (profesor i rregullt). Të njëjtit për punën që bëjnë marrin shtesa. Të përkthyera në paga mujore ato mund të arrijnë edhe deri në 3500 euro.

Nga hulumtimi i ORCA-s del se 40% e të ardhurave mujore për profesorët me pozita menaxheriale në UP vijnë nga shtesat që ata marrin, përcjell gazeta “zëri”

Pesë më të paguarit janë: Ahmet Shala, dekan në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në UP (3367 €), Ilir Doçi, prodekan në po të njëjtin fakultet në UP (3352 €), Nexhat Qehaja, prodekan në po të njëjtin fakultet në UP (3343 €), Myrvete Badivuku-Pantina, prorektore në UP (3124 €) dhe Haxhi Gashi, dekan në Fakultetin Juridik në UP (2839 €).

Duke u bazuar në këtë statistikë, mesatarja e shtesave të pesë profesorëve me pozita menaxheriale sillet diku 1805 euro, duke e tejkaluar kështu pagën maksimale prej 1492 eurosh të profesorit të rregullt. Ky hulumtim nga ORCA është bërë sipas formularëve të deklarimit të pasurisë nga vetë profesorët në vitin 2018

Ahmet Shala, dekan në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, gjithsej pagë mujore nga pozita që ai mban merr 3367 euro. Nga kjo shumë nga shtesat Shala merr 1938 euro e që i bie më shumë sesa paga bazë.

Në anën tjetër Haxhi Gashi, prodekan në Fakultetin Juridik në UP, merr pagë mujore 2839 euro. Nga shtesat Gashi merr 1.556 euro, teksa paga bazë e tij është më e ulët sesa shtesat.

 

Ndërsa Halil Kukaj, dekan i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prizrenit, po renditet i treti në listë për nga paga mujore që ai merr. Kukaj nga puna që bën në këtë universitet merr pagë mujore 2717 euro. Ai nga shtesat merr 1522 euro e që është shifër më e lartë duke e krahasuar me pagën bazë të tij.

 

Në këtë listë është përfshirë edhe Januz Dërvodeli, dekan i Fakultetit të Edukimit në Gjilan. Ai pagë mujore merr 2.805 euro.

 

Ndërsa si superdekan që merr para nga shtesat dyfish më shumë sesa që e ka pagën bazë po del të jetë Idriz Berisha, dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Gjakovës. Berisha merr pagë mujore 1.787, teksa vetëm nga shtesat ai merr 1.878 euro. Paga bazë e tij është 909 euro e që është dyfish më pak sesa shtesat.