Kryefinancieri me staf i kushtojnë 200 mijë euro buxhetit të Kosovës
Foto: Laura Hasani

Kryefinancieri me staf i kushtojnë 200 mijë euro buxhetit të Kosovës

Ekonomia November 23, 2019 - 08:10
Detajet
Image

Afër 200 mijë euro janë shpenzuar nga ish-ministri Bedri Hamza dhe nga ish-zëvendësministrat e Ministrisë së Financave për paga, reprezentacion, udhëtime jashtë vendit, mëditje, furnizim të automjeteve zyrtare me karburant dhe për shërbimet e telefonisë mobile, shkruan gazeta "Zëri".

Për më pak se dy vjet Ministria e Financave ka shpenzuar afër 200 mijë euro për paga, reprezentacion, udhëtime jashtë vendit, shfrytëzim të automjeteve zyrtare, furnizim të tyre me karburante, si dhe për shërbimet e telefonisë mobile nga ministri dhe zëvendësministrat.

Duke u mbështetur në Ligjin Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, redaksia e gazetës “Zëri” ka kërkuar nga Ministria e Financave e Republikës së Kosovës që t`i sigurojë dokumentet, të cilat kanë të bëjnë me shpenzimet e ministrit Bedri Hamza dhe të kabinetit të tij për udhëtime, mëditje, si dhe për shpenzimet e tjera nga ky dikaster qeveritar.

Buxhetit të shtetit pa dyshim se më së shumti i kanë kushtuar pagat. Duke përfshirë ministrin dhe katër zëvendësministrat, vetëm për pagat e tyre janë shpenzuar më shumë se 120 mijë euro.

Më shumë se 22 mijë euro janë shpenzuar te “Kategoria e reprezentacionit”, që përfshin dreka, darka, pije dhe dhurata në takime zyrtare. Ndërsa në raportin e siguruar nga kjo ministri del se vetëm për udhëtimet jashtë vendit, duke përfshirë mëditjet, akomodimin dhe biletat, nga Ministria e Financave janë shpenzuar afër 25 mijë euro, shkruan tutje "Zëri"

Mijëra euro u shpenzuan edhe për karburante. Mbi 18 mijë euro u harxhuan vetëm për furnizimin me karburante të automjeteve zyrtare të ministrit dhe të zëvendësministrave përgjatë kësaj periudhe. Ndërsa për shërbime të telefonisë mobile nga ish-ministri dhe nga ish-zëvendësministrat e këtij dikasteri janë shpenzuar afër 14 mijë euro.

Mbi 120 mijë euro paga për Hamzën dhe katër zëvendësministrat e tij

Për pagat e ish-ministri Bedri Hamza dhe të katër zëvendësministrave të tij janë shpenzuar hiç më pak se 118 mijë e 182 euro. Nga paga mujore prej 1 mijë e 271 eurosh sa e kishte ish-ministri, buxhetit të shtetit me këtë pagë i ka kushtuar afër 29 mijë euro.

Në anën tjetër, Bojan Stojanoviq për këto dy vjet ka marrë gjithsej 19 mijë e 764 euro pagë. Edhe ish-zëvendësministri Mustafa Grainca ka marrë gjithsej 22 mijë e 881 euro pagë përgjatë dy vjetëve. Pak më shumë mori Fatmir Gashi. Nga paga vjetore ai grumbulloi 24 mijë e 495 euro. Ndërsa Hyzer Gashi nga kjo ministri mori pagë 22 mijë e 183 euro.

Afër 25 mijë euro për mëditje, akomodim dhe bileta

Ministri në detyrë i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza, ka marrë nga buxheti i Kosovës në total 10 mijë e 912 mijë euro nga mëditjet për udhëtimet jashtë vendit. Përgjatë 23 muajve sa ishte në krye të këtij dikasteri Hamza më së shumti mëditje mori përgjatë tetë muajve të vitit 2018. Vetëm gjatë këtij viti ai mori 5 mijë e 734 euro mëditje për shpenzimet jashtë vendit. Në vitin 2017 ai mori mëditje vetëm për dy muaj, ndërsa në vitin 2019 për mëditje jashtë vendit ish-ministri i PDK-së shpenzoi 1 mijë e 366 euro dhe për akomodim në udhëtimet zyrtare jashtë Kosovës përgjatë vitit 2017 ai shpenzoi 1 mijë e 933 euro. Në vitin pasues Hamzës për akomodim iu ndanë mbi 6 mijë euro, në vitin 2019 për të njëjtin qëllim shpenzoi gjithsej 2 mijë e 485 euro, ndërsa për sigurimin e biletave të udhëtimit për Bedri Hamzën, për vitin 2018 dhe 2019, u shpenzuan 9 mijë e 704 euro.

Kësisoj për ish-ministrin e Financave, Bedri Hamza, për mëditje, akomodim dhe bileta, në total jashtë vendit u shpenzuan 21 mijë e 427 euro.

Në raport te pjesa e udhëtimeve jashtë vendit, mëditje, akomodim dhe bileta, ka të dhëna vetëm për ish-zëvendësministrin e Financave, Fatmir Gashi. Ai në total për mëditje jashtë vendit ka shpenzuar 1 mijë e 859 euro. Për akomodim ka shpenzuar 850 euro, ndërsa për bileta ka shpenzuar 714 euro, shkruan gazeta "Zëri".

Më shumë se 22 mijë euro për reprezentacion

Kategoria tjetër ku kabineti i ministrit të Financave nuk e kurseu buxhetin e shtetit ishte ajo e reprezentacionit, që përfshin dreka, darka, pije dhe dhurata në takime zyrtare. Për këtë kategori Hamza dhe kabineti i tij kanë shpenzuar më shumë se 22 mijë euro.

Ish-ministri Bedri Hamza shpenzoi hiç më pak se 6 mijë e 976 euro për dreka, darka, pije e dhurata përgjatë dy vjetëve sa ishte në krye të kësaj ministrie.

Edhe ish-zëvendësministri Mustafa Grainca nuk e la keq me shpenzime për këtë kategori. Gjatë kësaj periudhe Grainca harxhoi 3 mijë e 630 euro.

Ndërsa Bojan Stojanoviq për shërbimet e reprezentacionit shpenzoi 3 mijë e 181 euro.

Në ndërkohë, zëvendësministri i Financave Fatmir Gashi për dreka e darka harxhoi 3 mijë e 641 euro. Më pak shpenzime për këtë kategori pati Hyzer Gashi. Ai shpenzoi 1 mijë e 607 euro.

Mbi 18 mijë euro shpenzime për karburante

Shpenzime të mëdha për ministrin pati edhe për shfrytëzimin e automjeteve zyrtare, duke përfshirë kështu furnizimin e veturave me karburante. Kështu, për dy muajt e fundit të vitit 2017 vetëm për veturën e ministrit në detyrë u shpenzuan 497 euro. Për të njëjtën gjë përgjatë vitit 2018 u shpenzuan 2 mijë e 603 euro, ndërsa në vitin 2019 për karburante të automjetit të Bedri Hamzës u shpenzuan 1 mijë e 405 euro. Në total për karburante të veturës zyrtare të Hamzës u shpenzuan 4 mijë e 505 euro.

Në anën tjetër, ish-zëvendësministri Mustafa Grainca në total ka shpenzuar 3 mijë e 161 euro për furnizimin me karburant të veturës zyrtare. Ndërsa Bojan Stojanoviq, po ashtu ish-zëvendësministër në këtë ministri, për karburant të veturës zyrtare, që ishte në shfrytëzim të tij, ka harxhuar 2 mijë e 603 euro.

Edhe Fatmir Gashi ka shpenzuar mijëra euro për karburante. 5 mijë e 688 euro janë shpenzuar në total vetëm nga ai për shfrytëzimin e veturës zyrtare. Ndërsa Hyzer Gashi në total ka shpenzuar 2 mijë e 529 euro për karburante të veturës zyrtare.

Pra vetëm për shpenzime për përdorimin e automjeteve zyrtare nga Ministria e Financave në total janë shpenzuar 18 mijë e 486 euro.

Për shërbime telefonike, afro 14 mijë euro

Gjatë vitit 2017 ish-ministri Bedri Hamza ka shpenzuar 315 euro për thirrje telefonike. Në vitin 2018 nga ai janë shpenzuar 1 mijë e 165 euro, teksa në vitin 2019 nga ish-ministri i PDK-së janë shpenzuar 574 euro.

Edhe ish-zëvendësministrat e financave kanë shpenzuar para për telefoni mobile. Përgjatë periudhës sa ishte zv/ministër i Financave Hysen Gashi ka shpenzuar në total 887 euro për shërbime telefonike. Ai gjatë vitit 2017 ka shpenzuar afër 69 euro, në vitin 2018 mbi 412 euro, teksa gjatë vitit 2019 Gashi ka shpenzuar 220 euro.

Zëvendësministri tjetër Bojan Stojanovic ka shpenzuar në total mbi 720 euro. Gjatë vitit 2017 ai ka shpenzuar 102 euro, në vitin 2018 për telefon mobil ka shpenzuar 412 euro, ndërsa në vitin 2019 ka shpenzuar 205 euro, shkruan tutje "Zëri".

Fatmir Gashi, ish-zëvendësministër i Financave, ka shpenzuar para për shërbime telefonike vetëm në vitin 2018. Ai shpenzoi gjithsej 328 euro për këto shërbime. Ndërsa zëvendësministri Mustafa Grainca për shërbime telefonike ka shpenzuar në total 1383 euro.

Për shërbime telefonike nga ministri, nga zëvendësministrat dhe nga këshilltarët e ministrit për 23 muaj janë shpenzuar në total 13 mijë 710 euro./ZËRI