Serbia investon 1.5 milion euro në një frigorifer për prodhuesit serbë të Kosovës

Serbia investon 1.5 milion euro në një frigorifer për prodhuesit serbë të Kosovës

Ekonomia November 23, 2019 - 08:15
Detajet
Image

Kryetari paralel i Mitrovicës, Aleksandër Spiriq, u ka thënë medieve lokale serbe në veri të Mitrovicës se qeveria e Serbisë nëpërmes Zyrës për Kosovën ka investuar 1.5 milion euro (166.000.000 dinarë) për ndërtimin e frigoriferit, i cili do të jetë qendër e grumbullimit të pemëve të prodhuesve serbë të Kosovës. Ndërtohen 10 ndërtesa banimi për kuadro e për çiftet e reja serbe. Ankesa për investimet e BE-së në veri të Kosovës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Qeveria e Serbisë po vazhdon të investojë në territorin e Republikës së Kosovës në mjediset e banuara me serbë, në veri dhe në jug të vendit. Pasi kanë përfunduar disa projekte të realizuara në veri të Mitrovicës, të shumtën ndërtesa banimi për kuadro të ndryshme dhe për çifte të kurorëzuara, tani Serbia investon mbi 1.5 milion euro për ndërtimin e një frigoriferi, i cili do të ndërtohet në afërsi të rrugës Rashkë - Mitrovicë e Veriut, respektivisht në vendin e quajtur “Cesmin Llug”, në të cilin ndodhej kampi më i madh i romëve. Kryetari paralel i Mitrovicës së Veriut, Aleksandër Spiriq, u ka thënë medieve lokale serbe në veri të Mitrovicës se është në përfundim e sipër ndërtimi i frigoriferit që do të shërbejë për mbledhjen e prodhimeve të pemëve nga prodhuesit serbë të Kosovës, në veri dhe në jug, derisa ka paralajmëruar ndërtimin e 10 ndërtesave të banimit dhe stadiumin e qytetit.

“Frigoriferi është duke u ndërtuar në vendin e quajtur ‘Cesmin Llug’ dhe ajo është gati të përfundojë. Rruga për qasje në këtë objekt gjithashtu ka përfunduar. Janë duke u kryer punët me intensitet të shtuar në ndërtimin e frigoriferit, që për qëllim ka që nëpërmes ndërmarrjes ‘Metoh’ të funksionalizohet dhe të bëhet qendër e grumbullimit të pemëve nga të gjitha prodhuesit në mjediset serbe të Kosovës. Janë siguruar gjithsej 166 milionë dinarë për këtë projekt, ose 1.5 milion euro, në kuadër të të cilit është duke u ndërtuar edhe rruga për qasje në objekt, që lidh atë me rrugën Rashkë – Mitrovicë, si dhe urën në afërsi të ‘Dudin Kers’. Vetëm për hapësirën e depos së frigoriferit janë ndarë 23.640.000 dinarë ose 215 mijë euro”, ka thënë Spiriq, përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës.

Paralajmërohet ndërtimi i 10 ndërtesave të banimit dhe i stadiumit në veri

Spiriq ka paralajmëruar ndërtimin edhe të 10 ndërtesave të banimit për çiftet e kurorëzuar, si dhe për kuadro të ndryshme, derisa ka shtuar se aktualisht janë duke u bërë përgatitjet për pastrimin e terrenit për ndërtimin e stadiumit të qytetit në veri të Mitrovicës. “Mjetet prej 150 milionë dinarësh për këtë projekt ose 1.363.300 euro janë siguruar. Mjetet për të gjitha projektet janë ndarë nga ana e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë e gjitha në kuadër të ndihmës së përgjithshme popullit serb në Kosovë. Kjo tregon se Serbia nuk tërhiqet nga ndihmat për popullin serb, jo vetëm në qytetin e Mitrovicës, por në gjithë Kosovën”, ka thënë mes tjerash kryetari i të ashtuquajturit Organ i Përkohshëm i Mitrovicës së Veriut, Aleksandër Spiriq, shkruan tutje "Zëri".

Ndërkaq në një debat publik, i cili është mbajtur në veri të Mitrovicës e në të cilin merrnin pjesë edhe zyrtarë të Urbanizmit të Komunës Veriore të Mitrovicës dhe ata të Komunës Paralele, është thënë se në veri edhe më tutje ka shumë punë për të bërë dhe se shumë projekte që janë realizuar janë përcjellë me probleme të mëdha. Madje disa nga pjesëmarrësit kanë kritikuar edhe BE-në, e cila ka investuar në disa projekte të rëndësishme, se nuk i ka dhënë të gjitha mjetet që i ka premtuar, por për t’i kryer projektet është dashur që Komuna të ndajë mjete nga buxheti i vet. “Bashkimi Evropian nuk ka pasur ‘erë’ kur bëhet fjalë për projektet e interesit publik në veri të Kosovës. Disa projekte që BE-ja i ka financuar ua ka dhënë për t’i kryer kompanive të Istogut, ndërsa posa pushteti lokal në veri ka kundërshtuar BE-ja ka hequr dorë nga financimi i projekteve, siç është rasti i palestrës së sporteve në veri të Mitrovicës, i financuar nga BE-ja, por vetëm pjesërisht. Janë dhënë 900 mijë euro, ndërsa projekti ka pasur koston prej 1.5 milion eurosh, për çka pjesën e mbetur është dashur ta paguajë Komuna. Situatë e njëjtë ka qenë edhe me ndërtimin e shtëpisë së zjarrfikësve”, ka thënë Goran Ristiq, përfaqësues i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën Veriore të Mitrovicës.

Ai, përfaqësuesi i Drejtorisë së Urbanizmit në komunën paralele të Mitrovicës, Dragan Spasojeviq, si dhe arkitektja Jelena Spasojeviq, kanë potencuar nevojën që vetë qytetarët t’i zgjedhin projektet, të cilat duhet realizuar.

Vendosja e mbeturinave, problem në vete për veriun

“Ka shumë probleme, janë krijuar gropa të mëdha, posaçërisht në rrugët dytësore, sinjalistika nuk funksionon, po shfrytëzon automjetet që janë të stërvjetruara, rrjeti i kanalizimit fekal është në gjendje të keqe, duhet të kryhet komplet ristrukturimi i rrjetit të kanalizimit. Shumë ndërtesa rrinë nën ujë për shkak se kanë pëlcitur gypat, janë ndërmarrë masa për t’i riparuar ato, janë tërë hapësirat nga lagështia, por gjendja ka vazhduar të jetë e njëjtë. Kemi problem me parkingjet, duhet ndërtuar edhe tri të tilla. Ekzistojnë të paktën pesë ujësjellës sekondarë që shkojnë drejtpërdrejt në Ibër, kështu që është e domosdoshme të ndërtohet fabrika për pastrimin e ujit, i cili si i pastër do të mundë të lëshohet në Ibër”, ka thënë Ristiq.

Pjesëmarrësit në debatin publik dhe panelistët kanë potencuar edhe problemin disavjeçar - vendosjen e mbeturinave, ato komunale, si dhe ato medicinal. “Ekziston problemi i vendosjes së mbeturinave. Ndërmarrja është duke kryer punën e vet ashtu si duhet, por qytetarët e pandërgjegjshëm, e ka shumë, na sjellin deri aty saqë krijohen deponi të vogla të mbeturinave përgjatë lumit Ibër. Deponia rajonale është duke u ndërtuar për tri komunat veriore në vendin e quajtur ‘Savina Stena’ në Zveçan, me të cilën do të rregullohet problemi, por që me ndërtimin është duke u vonuar mbi një vit”, ka thënë mes tjerash, Goran Ristiq, nga Drejtoria për Urbanizëm në Komunën Veriore të Mitrovicës.

Në anën tjetër Dragan Spasojeviq, nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën paralele të Mitrovicës së Veriut – Organi i Përkohshëm, ka shtruar nevojën për krijimin edhe të hapësirave të tjera të gjelbra, për rregullimin e shtratit të lumit Ibër, pas të cilit do të mundë të hapësh lokale hoteliere dhe zona kalimtarësh në veri të lumit Ibër.

E ndërkaq Jelena Spasojeviq, arkitekte, tha se është e domosdoshme që qytetarët të kyçen aktivisht dhe të japin propozimet e idetë për zgjidhjen e problemeve të ndryshme infrastrukturoro-urbanistike në veri të Mitrovicës. Ajo ka përmendur ndërtesën e vjetër të ish-Dispanserit të Fëmijëve në afërsi të Shkollës Teknike, në të cilën jetojnë 10 familje. “Bodrumi i këtij objekti është i mbushur me ujë, instalimi i rrymës është shumë i keq dhe stërvjetruar, gypat e ujësjellësit janë të vjetër, çatia e ndërtesës është shpuar në shumë pjesë dhe uji pikon brenda. Rregullimi i këtij objekti duhet të jetë prioritet i autoriteteve komunale”, ka thënë mes tjerash ajo./ZËRI