Afër 25 mijë euro për mëditje, akomodim dhe bileta

Afër 25 mijë euro për mëditje, akomodim dhe bileta

Ekonomia November 23, 2019 - 11:38
Detajet

Afër 200 mijë euro janë shpenzuar nga ish-ministri Bedri Hamza dhe nga ish-zëvendësministrat e Ministrisë së Financave për paga, reprezentacion, udhëtime jashtë vendit, mëditje, furnizim të automjeteve zyrtare me karburant dhe për shërbimet e telefonisë mobile, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ministri në detyrë i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza, ka marrë nga buxheti i Kosovës në total 10 mijë e 912 mijë euro nga mëditjet për udhëtimet jashtë vendit. Përgjatë 23 muajve sa ishte në krye të këtij dikasteri Hamza më së shumti mëditje mori përgjatë tetë muajve të vitit 2018. Vetëm gjatë këtij viti ai mori 5 mijë e 734 euro mëditje për shpenzimet jashtë vendit.

Në vitin 2017 ai mori mëditje vetëm për dy muaj, ndërsa në vitin 2019 për mëditje jashtë vendit ish-ministri i PDK-së shpenzoi 1 mijë e 366 euro dhe për akomodim në udhëtimet zyrtare jashtë Kosovës përgjatë vitit 2017 ai shpenzoi 1 mijë e 933 euro. Në vitin pasues Hamzës për akomodim iu ndanë mbi 6 mijë euro, në vitin 2019 për të njëjtin qëllim shpenzoi gjithsej 2 mijë e 485 euro, ndërsa për sigurimin e biletave të udhëtimit për Bedri Hamzën, për vitin 2018 dhe 2019, u shpenzuan 9 mijë e 704 euro, shkruan tutje "Zëri".

Kësisoj për ish-ministrin e Financave, Bedri Hamza, për mëditje, akomodim dhe bileta, në total jashtë vendit u shpenzuan 21 mijë e 427 euro.

Në raport te pjesa e udhëtimeve jashtë vendit, mëditje, akomodim dhe bileta, ka të dhëna vetëm për ish-zëvendësministrin e Financave, Fatmir Gashi. Ai në total për mëditje jashtë vendit ka shpenzuar 1 mijë e 859 euro. Për akomodim ka shpenzuar 850 euro, ndërsa për bileta ka shpenzuar 714 euro./ZËRI