Shpenzohen afër 14 mijë euro për shërbime telefonike nga Ministria e Financave

Shpenzohen afër 14 mijë euro për shërbime telefonike nga Ministria e Financave

Ekonomia November 23, 2019 - 20:23
Detajet

Për më pak se dy vjet, Ministria e Financave ka shpenzuar afër 200 mijë euro për paga, reprezentacion, udhëtimet jashtë vendit, shfrytëzimin e automjeteve zyrtare dhe furnizimin e tyre me karburante, si dhe për shërbimet e telefonisë mobile nga ministri dhe zëvendësministrat, shkruan zëri.info.

Duke u mbështetur në LIGJI NR. 06/L-081 për qasje në dokumente publike, Redaksia e gazetës “Zëri” ka kërkuar nga Ministria e Financave të Republikës së Kosovës që t`i sigurojë dokumentet që kanë të bëjnë me shpenzimet e ministrit Bedri Hamza dhe kabinetit të tij, për udhëtime dhe mëditje si dhe për shpenzimet e tjera nga ky dikaster qeveritar.

Bazuar në raportin e shpenzimeve të ministrit Bedri Hamza dhe kabinetit të tij janë të paraqitura edhe shpenzimet për thirrjet telefonike. Gjatë vitit 2017 ish-ministri Bedri Hamza, ka shpenzuar 315 euro për këto shpenzime. Në anën tjetër në vitin 2018 nga ai janë shpenzuar 1 mijë e 165 euro teksa në vitin 2019, nga ish-ministri i PDK-së janë shpenzuar 574 euro.

Edhe ish zëvendësministrat e Financave kanë shpenzuar para për telefoni mobile. Përgjatë periudhës sa ishte zv/ministër i financave Hysen Gashi ka shpenzuar në total 887 euro për shërbime telefonike. I njëjti gjatë vitit 2017 ka shpenzuar afër 69 euro, në vitin 2018 mbi 412 euro teksa gjatë vitit 2019 Gashi ka shpenzuar 220 euro.

Edhe zëvendësministri tjetër Bojan Stojanovic ka shpenzuar në total mbi 720 euro. Gjatë vitit 2017 ai ka shpenzuar 102 euro, në vitin 2018 për telefon mobil ka shpenzuar 412 euro ndërsa në vitin 2019 i njëjti ka shpenzuar 205 euro.

Fatmir Gashi ish-zëvendësministër i financave ka shpenzuar para për shërbime telefonike vetëm në vitin 2018. Ai shpenzoi gjithsej 328 euro për këto shërbime.

Ndërsa Mustafa Granica po ashtu zëvendësministër për shërbime telefonike ka shpenzuar në total 1383 euro.

Për shërbime telefonike në përgjithësi nga ministri, zëvendësministrat dhe nga këshilltarët e ministrit për 23 muaj janë shpenzuar në total 13 mijë 710 euro.//ZERI