Kaçaniku: Institucionet kanë qëllim skllavërimin e konsumatorëve, transparenca zero

Kaçaniku: Institucionet kanë qëllim skllavërimin e konsumatorëve, transparenca zero

Ekonomia November 25, 2019 - 10:15
Lexoni detajet!

Banka Qendrore e Kosovës ka kohë deri të premten të reflektojë në lidhje me vendimin e saj rreth rritjes së tarifës për sigurimin e automjeteve, në të kundërtën protestat nuk do të ndalen deri në ndryshimin e atij vendimi. BQK-ja në fillim të këtij muaji kishte marrë vendim për rritjen e tarifës në 26,6 për qind për sigurimin e automjeteve, shkruan Gazeta "Zëri". 

Kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka thënë për “Zërin” se në marrjen e vendimit rreth rritjes së tarifës për sigurimin e automjeteve nuk ka pasur fare transparencë.

Sipas tij, me këtë vendim është dëshmuar se qëllimi i institucioneve të vendit është skllavërimi i konsumatorëve.

“Transparenca, llogaridhënia dhe ndarja e përgjegjësisë edhe në këtë rast është zero. Institucionet e rregullatorët e shtetit janë kompetentë dhe kanë mandate për mbikëqyrjen e ekonomisë e për mbrojtjen e qytetarit konsumator, gjithmonë të udhëhequr nga politika. Edhe kësaj radhe kanë dëshmuar se të vetmin qëllim ndaj konsumatorit e kanë skllavërinë e tij”, ka theksuar ai.

Kaçaniku ka deklaruar se qytetarët janë gjeneruesit kryesorë të buxhetit të shtetit dhe se institucionet e vendit kanë obligime ndaj tyre. Ai ka thënë se i përkrah protestat e qytetarëve kundër vendimit të BQK-së.

“Dëmtimi më i madh vjen nga ofendimi i inteligjencës së konsumatorit. Të mos harrojmë se qytetari konsumator njëkohësisht është edhe taksapagues dhe si i tillë është gjeneruesi kryesor i buxhetit të shtetit prej nga financohet edhe Banka Qendrore. Të gjitha institucionet kanë obligim shtesë ndaj qytetarit taksapagues. Nëse këta nuk i përmbushin ato obligime e kanë një dëshmi më shumë se po këta nuk janë në gjendje të bëjnë një shtet me një buxhet prodhues, por e kanë bërë një shtet dhe një buxhet konsumues, i cili varet nga xhepi i qytetarit konsumator”, ka deklaruar ai. /ZERI