Avokati i Popullit: 20 sindikata dhe grupe ankuesish janë të pakënaqura me ligjin

Avokati i Popullit: 20 sindikata dhe grupe ankuesish janë të pakënaqura me ligjin

Ekonomia November 29, 2019 - 21:02
Detajet

Më një dhjetor të këtij viti pritet të hyjë në fuqi Ligji i Ri për Pagat në Sektorin Publik. Me hyrjen në fuqi të ligjit pritet të jepen edhe pagat me rritje po gjatë muajit dhjetor. Por kundër këtij ligji deri më tani kanë dalë 20 sindikata e grupe ankuesish, të cilat kanë shprehur pakënaqësi lidhur me nivelizimin e pagave që është bërë përmes këtij ligji. Në ndërkohë një grup i sindikatave javën e kaluar ka paralajmëruar protesta e greva në rast se pagat nuk dalin me rritje gjatë muajit dhjetor, siç parashihet me ligjin e ri shkruan sot gazeta Zëri.

20 sindikata dhe grupe ankuesish kanë dërguar ankesat e tyre tek institucioni i Avokatit të Popullit lidhur me Ligjin për Paga në Sektorin Publik. Në një përgjigje për “Zërin” zyrtarë nga kjo Ministri kanë konfirmuar se ata janë duke konsideruar që ky ligj po ndikon negativisht në interesat të tyre. “Avokati i Popullit deri më tani ka pranuar mbi njëzet (20) ankesa lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, jo vetëm nga sindikatat, por edhe nga grupe ankuesish të ndryshëm, të cilët konsiderojnë se Ligji për Pagat në Sektorin Publik ndikon negativisht në interesat e tyre”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit dhënë për “Zërin”.

Duke folur mbi natyrën e ankesave Avokati i Popullit sqaron se ato janë të ndryshme dhe varen nga pozita ose nga institucionet që i kanë paraqitur këto ankesa. “Ankesat e paraqitura tek Avokati i Popullit janë të ndryshme, varësisht nga pozita dhe nga institucionet që kanë paraqitur ankesë, përmes të cilave shfaqen pakënaqësinë lidhur me përcaktimet dhe me përfshirjen e tyre në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik”, thuhet tutje në përgjigje. //ZERI