S’ndalen ankesat ndaj Ligjit për Paga
Foto: Laura Hasani

S’ndalen ankesat ndaj Ligjit për Paga

Ekonomia December 05, 2019 - 07:51
Detajet
Image

30 sindikata dhe grupe ankuesish deri më tani kanë dërguar ankesa në institucionin e Avokatit të Popullit lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Ligji, i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese në afat kohor prej 6 muaj nga momenti i hyrjes në fuqi, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Ndërtimet e pasluftës në Kosovë, të pasigurta

Ligji për Paga, i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Deri më tani në institucionin e Avokatit të Popullit janë dërguar 30 ankesa për këtë ligj nga Sindikata e Shërbimit Civil dhe nga grupe ankuesish. Pas shqyrtimit të këtyre ankesave, Avokati i Popullit në një afat kohor prej 6 muaj qysh nga hyrja në fuqi e ligjit ka të drejtë ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Përfaqësues të Sindikatës së Shërbimit Civil në Kosovë i kanë thënë “Zërit” se ligji ka pasur nevojë të ndryshohet më parë. Sipas tyre, tani ndryshimet mund të bëhen me amendamente që mund t’i bashkëngjiten ligjit.

Shkon në 30 numri i ankesave rreth Ligjit për Paga

Numri i ankesave nga sindikatat dhe nga grupe ankuesish lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik ka arritur në 30. Këtë gjë e ka konfirmuar për “Zërin” institucioni i Avokatit të Popullit. Sipas tyre në këto ankesa bëjnë pjesë edhe ato nga sektori i arsimit, i shëndetësisë dhe i sektorit të policor. “Avokati i Popullit deri më tani ka pranuar mbi 30 ankesa lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, në mesin e tyre edhe ankesa nga të punësuarit në shëndetësi, në arsim dhe në Polici. Avokati i Popullit aktualisht është duke i trajtuar ankesat e paraqitura nga subjekte të ndryshme të sektorit publik lidhur me Ligjin Nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, i cili ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor 2019. Ankesat kryesisht kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e ligjit në kuptimin e ndarjes së pushteteve dhe të barazisë para ligjit, nën pretendimin se ligji nuk e ka arritur qëllimin e proklamuar me rastin e miratimit të tij: ‘Pagë të barabartë për punë të barabartë’”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni dhënë “Zërit”.

Avokati i Popullit ka kompetencë të bëjë hetime lidhur me ankesat dhe për çështjet e parashtruara në to. Kësisoj duke u bazuar në rezultatet e nxjerra nga hetimet, Avokati i Popullit mund të vendosë nëse ka shkelje të të drejtave dhe të lirive të njeriut, të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj. “Në rastet kur Avokati i Popullit pranon ankesa nga personat fizikë e juridikë Avokati i Popullit, në pajtim me Ligjin për Avokatin e Popullit (Neni 16, par. 4) ka kompetencë të bëjë hetime qoftë për t’iu përgjigjur ankesës së parashtruar, qoftë me iniciativën e vet (ex officio) nëse nga konstatimet, nga dëshmitë dhe nga faktet e paraqitura me parashtresë, ose nga njohuritë e fituara në mënyrë tjetër, ka bazë të rezultojë se nga ana e autoriteteve janë shkelur të drejtat dhe liritë e njeriut të përcaktuara me Kushtetutë, me ligje dhe me akte të tjera, si dhe me instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet tutje në përgjigjen e dhënë nga Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit nuk tregon nëse ligji do të përfundojë në Kushtetuese

Të pyetur se a ka gjasë të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese Ligji për Paga për Zyrtarët Publikë, ata pohuan se me kohë publiku do të njoftohet se çfarë vendimi do të merret lidhur me këtë ligj. “Avokati i Popullit do ta njoftojë publikun me kohë për çfarëdo veprimi që do ta ndërmarrë lidhur me Ligjin Nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik”, thuhet në përgjigjen dhënë gazetës.

Ditë më parë i njëjti institucion pohoi për “Zërin” se në afat kohor prej 6 muaj, pasi të hyjë në fuqi Ligji për Pagat për Zyrtarët Publikë, mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. “Ligji Nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor 2019. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Avokati i Popullit mund të ngrejë çështjen e përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën brenda afatit prej gjashtë (6) muajve pas hyrjes në fuqi të ligjit. Afati ligjor për ngritjen e çështjes në fjalë fillon të rrjedhë nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat”, thuhej në përgjigje.

Dallime në paga me ligjin e ri

Sipas Mursel Zymberit, kryetar i Sindikatës së Shërbimit Civil në Kosovë, rishikimi i këtij ligji është kërkuar edhe më parë, megjithëse tani ka pak mundësi të bëhen ndryshime. “Sindikata e Shërbimit Civil e Kosovës ka bërë kërkesë edhe më herët që të rishikohet ky ligj, por me rënien e Qeverisë dhe me vetë faktin se ky ligj është aprovuar në Kuvendin e Kosovës pothuajse janë shuar mundësitë që tani për tani në këtë periudhë të ndërhyhet në ligj. Ne në bisedimet dhe në arsyetimet që ua kemi dhënë Qeverisë së Kosovës, sektorëve dhe ministrive të caktuara e kanë parë edhe ata se në të vërtetë ka një mospërputhshmëri të pagave në mes të sektorëve të caktuar në shërbimin publik dhe janë lënë mundësitë që përmes amendamentimit të ligjit të krijohet një mundësi më e mirë për paga dhe për punë më të saktë me paga më të dinjitetshme në raport me punën që e bëjnë shërbyesit civilë”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ai e sheh të nevojshme aprovimin e ligjit, pasi ka mundësi që përmes amendamenteve të ligjit të bëhen përmirësime. “Tani në këtë moment në bazë të kërkesës të shërbyesve civilë nuk është e mirë që ky ligj të mos aprovohet, sepse edhe këto paga me ngritje që kanë ndodhur janë shumë të nevojshme. Ne do ta shohim mundësinë që përmes amendamentimit të ligjit të përmirësohet pozita e shërbyesve civilë. Një numër i madh i shërbyesve civilë në bazë të njoftimeve që kam tashmë edhe janë futur në kredi të caktuara dhe mosdalja e ngritjes së pagës i dëmton shumë”, ka thënë tutje ai.

Ai konfirmoi se në Kosovë përllogaritet të jenë diku afër 18 mijë shërbyes civilë. “Në përgjithësi mbi bazën e Ligjit për Shërbyes Civilë gjithsej në nivel vendi janë rreth 23 mijë shërbyes civilë, nëse llogariten me Ligjin e Vjetër për Shërbyesit Civilë. Tani që sektorë të caktuar mund të mos jenë shërbyes civilë mund të llogaritet që shërbyes civilë mund të jenë afër 18 mijë”, ka thënë Zymeri për “Zërin”. //ZERI