Shkon në 30 numri i ankesave rreth Ligjit për Paga

Shkon në 30 numri i ankesave rreth Ligjit për Paga

Ekonomia December 05, 2019 - 09:36
Detajet

Ligji për Paga, i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: S’ndalen ankesat ndaj Ligjit për Paga

Numri i ankesave nga sindikatat dhe nga grupe ankuesish lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik ka arritur në 30. Këtë gjë e ka konfirmuar për “Zërin” institucioni i Avokatit të Popullit. Sipas tyre në këto ankesa bëjnë pjesë edhe ato nga sektori i arsimit, i shëndetësisë dhe i sektorit të policor. “Avokati i Popullit deri më tani ka pranuar mbi 30 ankesa lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, në mesin e tyre edhe ankesa nga të punësuarit në shëndetësi, në arsim dhe në Polici. Avokati i Popullit aktualisht është duke i trajtuar ankesat e paraqitura nga subjekte të ndryshme të sektorit publik lidhur me Ligjin Nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, i cili ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor 2019. Ankesat kryesisht kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e ligjit në kuptimin e ndarjes së pushteteve dhe të barazisë para ligjit, nën pretendimin se ligji nuk e ka arritur qëllimin e proklamuar me rastin e miratimit të tij: ‘Pagë të barabartë për punë të barabartë’”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni dhënë “Zërit”.

Avokati i Popullit ka kompetencë të bëjë hetime lidhur me ankesat dhe për çështjet e parashtruara në to. Kësisoj duke u bazuar në rezultatet e nxjerra nga hetimet, Avokati i Popullit mund të vendosë nëse ka shkelje të të drejtave dhe të lirive të njeriut, të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj. “Në rastet kur Avokati i Popullit pranon ankesa nga personat fizikë e juridikë Avokati i Popullit, në pajtim me Ligjin për Avokatin e Popullit (Neni 16, par. 4) ka kompetencë të bëjë hetime qoftë për t’iu përgjigjur ankesës së parashtruar, qoftë me iniciativën e vet (ex officio) nëse nga konstatimet, nga dëshmitë dhe nga faktet e paraqitura me parashtresë, ose nga njohuritë e fituara në mënyrë tjetër, ka bazë të rezultojë se nga ana e autoriteteve janë shkelur të drejtat dhe liritë e njeriut të përcaktuara me Kushtetutë, me ligje dhe me akte të tjera, si dhe me instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet tutje në përgjigjen e dhënë nga Avokati i Popullit. //ZERI