Kosova mund të hyjë në vitin vijues pa buxhet
Foto: Laura Hasani

Kosova mund të hyjë në vitin vijues pa buxhet

Ekonomia December 12, 2019 - 07:54
Detajet
Image

Kosova mund ta nisë vitin 2020 pa buxhet të miratuar për këtë vit. Moskonstituimi i Kuvendit pas zgjedhjeve të 6 tetorit ka bërë që Projektligji i Buxhetit për vitin 2020 të mos procedohet në Kuvend. Duke u bazuar në rrethanat aktuale procedimi i këtij ligji më së largu mund të bëhet në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Ndalja e socialit për 212 familje, padrejtësi legjitime

Ndonëse afati i fundit për dërgimin në Kuvend të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2020 ishte më 31 tetor të këtij viti, ai nuk është dërguar në këtë institucion as në muajin dhjetor. Pavarësisht se për hartimin e këtij ligji nga Ministria e Financave janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme, problemi është shkaktuar për shkak të moskonstituimit të Kuvendit. Zyrtarë nga Ministria e Financave i kanë thënë “Zërit” se buxheti për vitin 2020 është finalizuar. Ata pohuan që për miratimin e tij janë duke pritur vetëm dritën jeshile nga Qeveria e Kosovës. Sipas njohësve të procedurave të miratimit të buxhetit, duke u bazuar në rrethanat aktuale ky projektligj duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës më së largu deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.

Ministria e Financave: Buxheti për vitin 2020 është finalizuar

Buxheti për vitin 2020 është finalizuar nga Ministria e Financave dhe pritet të miratohet në Qeverinë e Kosovës. Muharrem Shahini, drejtor i zyrës për komunikim në Ministrinë e Financave, i ka thënë gazetës se kjo Ministri me kohë i ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë për draftimin e buxhetit për vitin 2020. “Ministria e Financave me kohë ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë, që ta draftojë buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020. Andaj buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2020 është i finalizuar dhe vetëm pritet për miratim në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ai për “Zërin”.

Për sa u përket afateve ligjore se deri kur mund të miratohet buxheti për vitin 2020, Shahini bëri të ditur se nuk ka ndonjë afat të tillë deri kur duhet të aprovohet në Qeveri. “Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe të Përgjegjësive nuk parasheh ndonjë afat ligjor se kur duhet të aprovohet në Qeveri, por e parasheh afatin që deri më 31 tetor duhet të dërgohet në Kuvend. Por në rrethanat e reja që jemi tani, ne ende nuk kemi Kuvend dhe nuk kemi mundësi ta dërgojmë në Kuvend draftbuxhetin e vitit 2020”, ka thënë ai.

Ndërsa duke folur për procedimin e buxhetit në Qeveri, Shahini potencoi se një gjë e tillë nuk krijon ndonjë efekt juridik, pasi i njëjti ligj duhet t'i kalojë procedurat edhe në Kuvend. “Është çështje që duhet vlerësuar, pasi nuk kemi Kuvend, procedimi i buxhetit vetëm në Qeveri nuk krijon ndonjë efekt juridik pa i kaluar procedurat në Kuvend dhe të shpallet në Gazetën Zyrtare. Vlen të theksohet se edhe ligjet, të cilat kanë qenë në procedurë në Kuvend dhe nuk janë aprovuar, të gjitha i janë kthyer Qeverisë. Ligji për Menaxhimin e Financave Publike i parasheh situatat alternative të implementimit të buxhetit të vitit paraprak në rast se nuk aprovohet buxheti për vitin vijues”, ka thënë tutje ai.

KDI: Ligji i Buxhetit Aktual do të zgjatet deri në shkurt të 2020-s

Agnesa Haxhiu, nga Instituti Demokratik i Kosovës, për “Zërin” ka sqaruar procesin e procedimit të buxhetit të vitit 2020 në Kuvend dhe në Qeveri. Sipas hulumtueses së KDI-së, pas skadimit të afatit të Ligjit për Buxhetin Aktual ekziston mundësia e zgjatjes së ligjit edhe për tre muajt e vitit të ardhshëm. "Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, afati i fundit kur duhet Qeveria të procedojë për shqyrtim projektligjin e buxhetit për vitin e ardhshëm fiskal është 31 tetori i vitit aktual. Kuvendi më pastaj i ka dy muaj afat deri në skadim të Ligjit për Buxhetin e Vitit Aktual që të shqyrtojë dhe të miratojë Ligjin për Buxhetin për Vitin e Ardhshëm. Në rast se nuk arrin brenda kësaj periudhe kohore ta miratojë atë, atëherë ekziston mundësia e zgjatjes së Ligjit për Buxhetin e Vitit Aktual edhe për tre muajt e vitit të ardhshëm, por kjo duhet të bëhet me vendim të Kuvendit”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Duke folur mbi miratimin e buxhetit për vitin 2020, Haxhiu theksoi se në situatën në të cilën jemi tani parashihet një procedurë tjetër, sipas së cilës Ligji për Buxhetin Aktual do të zgjatet edhe për dy muajt e vitit të ardhshëm. “Në situatën që jemi tani Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë parasheh një procedurë tjetër. Sipas ligjit në fjalë, kur zgjedhjet e përgjithshme për deputetët e Kuvendit janë mbajtur më pak se katër (4) muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal, atëherë Ligji për Buxhetin e Vitit Aktual automatikisht zgjatet edhe për dy muajt e ardhshëm të vitit të ri fiskal. Është me rëndësi të theksohet fakti se në rast të zgjatjes së Ligjit për Ndarjet Buxhetore të Vitit Paraprak për Vitin e Ardhshëm, buxheti që mund të shpenzohet për këta muaj është 16,67% e buxhetit të vitit të kaluar për secilën organizatë buxhetore, që është paraparë për të njëjtën periudhë kohore”, ka thënë tutje Haxhiu.

Kadrijaj: Ligji i Buxhetit duhet të ketë trajtim të veçantë

Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj, pohoi se trajtimi i Ligjit të Buxhetit duhet të jetë i veçantë dhe të hartohet në pajtim me të gjitha partitë politike në vend. “Së pari Ligji për Buxhetin duhet të ketë trajtim më të veçantë për faktin se është ligj njëvjeçar dhe është shumë i ndjeshëm për funksionimin e administratës dhe për zhvillimin e shtetit në përgjithësi. Me këtë vlerësoj se do të duhej një pajtim i gjithë partive parlamentare që Ligji për Buxhetin të mos ketë arsye për prolongim, por të jetë prioritet që të votohet sepse nga ai varet funksionimi i shtetit dhe fati i të punësuarve në administratë”, ka thënë Kadrijaj.

Çdo vonesë në miratimin e këtij ligji, sipas Kadrijajt, do ta ketë efektin e dominosë në administratë dhe në zhvillimin ekonomik. “Meqë jemi në një situatë që pritet të mandatohet qeveria e re, urojmë që brenda muajit të konstituohet edhe Kuvendi dhe në seancën e parë pas konstituimit të votohet Ligji për Buxhetin, sepse çdo vonesë do ta ketë efektin e dominosë në funksionimin e administratës dhe të zhvillimit ekonomik. Uroj që një hap e para të konstituohen institucionet e reja dhe të harrohet praktika e ngërçeve politike, duke shpikur kauza kot vetëm për përfitime brenda koalicionit, sepse qytetari pret perspektivë”, ka thënë ndër të tjera ai. //ZERI