BQK-ja s’është konsultuar me Qeverinë, përgjegjëse nëse dëmton qytetarët

BQK-ja s’është konsultuar me Qeverinë, përgjegjëse nëse dëmton qytetarët

Ekonomia December 12, 2019 - 11:36
Detajet

Banka Qendrore e Kosovës ka mbajtur takim me përfaqësuesit e grupit “Marakli t’kerreve”, të cilëve u ka thënë se nuk do të tërhiqen nga vendimi për rritjen e tarifës 26,6 për qind për sigurimin e automjeteve. Derisa vendimi po vazhdon të mbetet në fuqi, po shikohet të gjendet një mënyrë tjetër që qytetarëve t’u zbritet tarifa, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Vetëm një alternativë për uljen e tarifës së sigurimit të automjeteve

Për vendimin e marrë për rritjen e tarifës Banka Qendrore e Kosovës nuk ishte konsultuar paraprakisht as me kryeministrin në largim Ramush Haradinajn. Ajo ka marrë vendimin në kohën kur Kuvendi, organ që sipas Kushtetutës mbikëqyr BQK-në, ka qenë jofunksional.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, ka thënë për “Zërin” se BQK-ja e ka njoftuar kryeministrin për vendimin e saj, pasi Haradinaj i ishte drejtuar përmes një letre guvernatorit të BQK-së Fehmi Mehmetit, përmes së cilës kishte kërkuar informata të detajuara për vendimin.

Sipas Shatrit, Qeveria nuk ka të drejtë të përzihet në vendimet e BQK-së, por është përgjegjësi e madhe nëse kjo ka favorizuar kompanitë e sigurimeve dhe ka dëmtuar qytetarët. “BQK-ja është institucion, i cili mbikëqyr institucionet financiare, si bankat e kompanitë e sigurimeve. Sipas ligjit, Qeveria nuk ka të drejtë të përzihet në vendime të Bankës Qendrore. BQK-ja është e pavarur në vendime të saj, por ka obligim që ta informojë Qeverinë lidhur me vendimet që merr. Është përgjegjësi e madhe nëse BQK-ja me vendimin e saj i favorizon kompanitë e sigurimeve dhe i dëmton qytetarët”, ka thënë ai. //ZERI