Taksa 100 për qind, Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia me humbje qindramilionëshe
Foto: Laura Hasani

Taksa 100 për qind, Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia me humbje qindramilionëshe

Ekonomia December 16, 2019 - 08:13
Sipas një raporti të publikuar nga Oda për Tregti të Jashtme e Bosnjë dhe Hercegovinës, eksporti i Bosnjë e Hercegovinës në Kosovë për 9 muaj të këtij viti kap shifrën prej 11.026.765 markash konvertibile (1 MK = 0.51 euro) dhe është për 90,4 për qind më i ulët në krahasim me vitin e kaluar
Image

Edhe Bosnjë e Hercegovina është duke i ndier pasojat e taksës 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Republikës së Kosovës para një viti ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Derisa Serbia ka njoftuar se ka pasur 400 milionë euro humbje si pasojë e taksës, autoritet e Bosnjës përmes një raporti kanë bërë të ditur se ky shtet ka pësuar humbje prej mbi 100 milionë markash konvertibile (1 MK = 0.50 euro) si pasojë e tarifës së vendosur nga Kosova. Pasojat më të mëdha nga taksa, siç u tha nga zyrtarët e Odës për Tregti të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, i ka ndier sektori agroindustrial dhe ai i metaleve. Sipas raportit në fjalë, për 9 muaj të këtij viti nga Bosnjë e Hercegovina në Kosovë janë eksportuar mallra në vlerë prej 11.026.765 markash konvertibile, rreth 90,4 për qind më pak, duke i krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose 100 milionë marka konvertibile më pak eksport të mallrave në Kosovë.

Sektorët që u dëmtuan më së shumti nga taksa

Shifrat krahasuese para dhe pas taksës sa i përket eksportit të Bosnjë e Hercegovinës i ka paraqitur nënkryetari i Odës për Tregti të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Ahmet Egerliq. “Nëse e marrim vitin 2017, kur kemi eksportuar 163 milionë MK mallra në Kosovë, që ka qenë shifër rekorde dhe eksportin e këtij viti prej 11 milionë MK, është evidente se kemi humbur mbi 140 milionë marka konvertibile. Nëse në këtë e llogarisim edhe rritjen e eksportit prej mbi 50 milionësh MK, të cilat i kemi shënuar në vitin 2014 deri në vitin 2017, atëherë mund të themi se humbjet janë shumë më të mëdha”, ka thënë nënkryetari i Odës për Tregti të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Ahmet Egerliq, përcjellin mediet lokale në veri të Mitrovicës.

Ai më tej ka thënë se një ditë kur të hiqet taksa afaristët e Bosnjë e Hercegovinës duhet të nxitojnë për ta rifituar tregun e Kosovës. Gjatë prezantimit të tij Egerliq ka treguar se cilët sektorë kanë pësuar më së shumti nga taksa. “Raftet, mallrat dhe mentaliteti i konsumatorëve kanë shkuar në tjetër drejtim, pjesën e tregut e kanë marrë shtetet e tjera me prodhimet e tyre, derisa ne duhet nga fillimi. Ekonomia e Bosnjë e Hercegovinës ka humbur shumë, para së gjithash sektori i metaleve dhe ai agroindustrial”, ka shtuar ai.

Më së shumti mallra, siç ka vazhduar Egerliq, janë eksportuar nga sektori i metaleve. “Kështu që më së shumti është eksportuar hekur dhe çelik, mesatarisht 55 deri 60 milionë marka konvertibile, prodhime nga përpunimi i mishit rreth 15 milionë MK, qumësht dhe prodhime të qumështit rreth 10 milionë MK. Disa nga prodhimet e qumështit menjëherë pas vendosjes së taksës nuk kemi tentuar t’i eksportojmë në tregun e Kosovës, për shkak se nuk paguhej”, ka nënvizuar ai.

Një kompani e tillë është “Milkos” e Sarajevës, që ka eksportuar shumë mallra në Kosovë. Sipas drejtorit të kompanisë “Milkos”, Adin Fakiq, eksporti në Kosovë është ndaluar menjëherë pas vendosjes së taksës. “Humbja e çdo tregu për Bosnjë e Hercegovinën është i pakompensueshëm. Sa i përket ‘Milkos’-it, ne për shkak të ndërprerjes së eksportit në tregun e Kosovës deri më tani kemi humbur rreth 1 milion euro”, ka thënë Fakiq, duke shtuar se tregu i Kosovës është shumë dinamik dhe prodhimet boshnjake menjëherë janë zëvendësuar me prodhime nga vendet e tjera.

Fakiq më tutje ka thënë se për ta rifituar tregun e Kosovës është vështirë, madje sipas tij për një kohë të konsiderueshme as një e 10-ta e tregut nuk mund të fitohet. “Pushteti në Bosnjë e Hercegovinë ka treguar se nuk është shumë i interesuar për problemet e qytetarëve dhe të afaristëve. Ne do të apelojmë te qeveria t’i vendosin lidhjet me Kosovën, por ne dyshojmë që apeli ynë do të gjejë mbështetje”, është shprehur Fakiq.

Lajiq: Serbia ka humbur nga taksa 400 milionë euro

Ndërkaq ministri i Tregtisë i Serbisë, Rasim Ljajiq, ka ripërsëritur se në vitin e fundit, prej kur Kosova ka vendosur taksën në importin e produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, në Kosovë janë eksportuar më pak mallra, me vlerë prej 395.7 milionë eurosh.

Sipas tij, dëmi më i madh është se do të jetë e vështirë që ai mall të kthehet në tregun e Kosovës edhe pas heqjes së taksës. Lajiq në deklaratat e dhëna për mediet në Beograd ka njoftuar se humbjet më të mëdha për shkak të taksës gjatë periudhës nga 21 nëntori i vitit të kaluar deri më 21 nëntor të këtij viti i ka pësuar Nishi, Zhelezara dhe Smedereva. Sipas Lajiqit, në Kosovë nuk ka më mallra ushqimore nga Serbia Qendrore, në të njëjtën kohë dyfish më tepër është rritur furnizimi me mallra nga Greqia, Hungaria, Bullgaria, Kroacia dhe Sllovenia, kurse 50 për qind nga Maqedonia.

Në anën tjetër, për 9 muaj të vitit 2019 nga Kosova në Serbi kanë hyrë 181 lloje të ndryshme të prodhimeve, në vlerë prej 17.4 milionë eurosh. Për 9 muaj nga Kosova janë dërguar në tregun e Serbisë 41.500 tonë mallra të ndryshme, në vlerë prej 17.4 milionë eurosh, që është gati tri herë më shumë sesa që Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina bashkërisht kanë plasuar mallra në tregun kosovar prejse është vendosur taksa 100 për qind në importin e produkteve të Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës.