Infektuar: 15472
Shëruar: 13278
Vdekur: 622
Ministria e Financave: Mosmiratimi i buxhetit ndal të gjitha pagesat pas muajit mars

Ministria e Financave: Mosmiratimi i buxhetit ndal të gjitha pagesat pas muajit mars

Ekonomia January 14, 2020 - 08:22

 

Image

Sipas Ministrisë së Financave, pas datës 31 mars asnjë organizatë buxhetore nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore nga Kuvendi i Kosovës, i cili është konstituuar më 26 dhjetor të vitit të kaluar, shkruan gazeta Zëri.

Mosmiratimi i buxhetit për vitin 2020 ka sjellë reagime të shumta në vend ditëve të fundit. Pas kësaj gjendjeje dje erdhi edhe sqarimi nga Ministria e Financave për gjendjen e krijuar. Sipas kësaj ministrie, pas datës 31 mars asnjë organizatë buxhetore nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore nga Kuvendi i Kosovës, i cili është konstituuar më 26 dhjetor të vitit të kaluar. “Në përputhje me kërkesat e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe të Përgjegjësive (LMFPP), Neni 22 (par. 1), pas procesit të zakonshëm të pranimit të kërkesave buxhetore, në pajtim edhe me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, më datën 31 tetor 2019 Ministria e Financave e ka dorëzuar në Qeveri propozim-buxhetin për vitin 2020. Për shkaqe të njohura politike dhe ligjore Qeveria nuk ka mundur të aprovojë Projektligjin e Buxhetit dhe ta dërgojë në Kuvend, për shkak se Kuvendi nuk ka ekzistuar. Ky propozim-buxhet mund të trajtohet dhe të procedohet nga qeveria e re te Kuvendi i konstituuar, si organe të nxjerra nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, thuhet në sqarimin e MF-së.

Nga Ministria e Financave është bërë zgjatja e ndarjeve buxhetore deri më 28 shkurt 2020. Kjo nuk është definitive sipas MF-së. Kuvendi mund të vendosë për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për një muaj, e cila është koha përfundimtare e lejuar për shpenzimin e buxhetit. “Në pajtim me autorizimet ligjore të LMFPP-së Ministria e Financave ka bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore dhe alokimin e tij për organizatat buxhetore për 2 muaj të vitit 2020, ose 16,67 për qind e ndarjeve finale vjetore të vitit 2019, përkatësisht deri më datën 28 shkurt 2020, pasi është plotësuar kushti sipas Nenit 24, paragrafit 1a të LMFPP-së, përkatësisht për shkak se zgjedhjet janë mbajtur në 4 muajt e fundit para fillimit të vitit fiskal, si situatë e përcaktuar në LMFPP. Në pajtim me Nenin 24, paragrafin 2 të LMFPP-së, vetëm Kuvendi mund të vendosë për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për 1 muaj, përkatësisht për periudhën deri më 31 mars 2020. Kjo është koha përfundimtare e lejuar për shpenzimin e buxhetit dhe nuk ka asnjë instrument tjetër ligjor që ndarjet buxhetore të shtyhen më shumë se tre muaj, pra jo më vonë se data 31 mars 2020”, vazhdon sqarimi.

Me kalimin e këtyre afateve kohore, sipas MF-së, asnjë organizatë buxhetore nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore. “Pas kalimit të afateve të lartpërmendura (28 shkurt, përkatësisht 31 mars), sipas kufizimeve të LMFPP-së, përkatësisht Nenit 24, paragrafit 3, nëse ndarjet e lartpërmendura kanë skaduar dhe Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore nuk është miratuar, atëherë asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore. Megjithatë, Ministria dhe Thesari janë të autorizuara që të bëjnë pagesa për larjen e një borxhi publik, i cili është marrë në mënyrë të ligjshme sipas pjesës IX të këtij Ligji, në kohën kur ato pagesa maturohen. Pra, në situatën kur nuk miratohet Ligji i ri për Buxhetin nga qeveria e re dhe nga Kuvendi, të gjitha pagesat, duke përfshirë pagat, që nga organet e sigurisë e deri te shërbimi civil, pensionet dhe asistencat tjera sociale, shërbimet publike, si dhe të gjitha obligimet tjera buxhetore do të ndërpriten nga 28 shkurti, përkatësisht 31 marsi (nëse ka vendim nga Kuvendi) dhe nga Thesari i Kosovës do të lejohen vetëm pagesat për borxhin publik, të cilat mund të realizohen sipas afatit të pagesës, në pajtim me LMFPP-në, Nenin 24, paragrafin 3”, përfundon njoftimi. //ZERI