Doganat - burimi kryesor i të hyrave të shtetit, shpenzimet më të mëdha për paga

Doganat - burimi kryesor i të hyrave të shtetit, shpenzimet më të mëdha për paga

Ekonomia January 20, 2020 - 08:17
detajet
Image

Në nëntëmujorin e parë të vitit të kaluar mbi një miliard euro janë mbledhur në Ministrinë e Financave dhe po aq të tilla janë shpenzuar si për paga, për mallra e për shërbime dhe për huamarrje shtetërore. Gazeta ka siguruar dokumentin, në të cilin janë të paraqitura në mënyrë të detajuar këto shpenzime, shkruan sot Zëri.

Lexo edhe: “Llamkosi” i shitet ofertuesit të tretë për 4.8 milionë euro

1 miliardë e 379 mijë euro është numri i të hyrave në Ministrinë e Financave. Në raportin nëntëmujor të vitit paraprak, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, theksohet se të hyrat më të mëdha kanë ardhur nga Dogana e Kosovës me 864 milionë euro dhe nga Administrata Tatimore e Kosovës me 372 milionë e 350 mijë euro. E pagesat, veçanërisht ato për paga, i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 1 miliard e 406 milionë euro. 

E pagesat, veçanërisht ato për paga, i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 1 miliard e 406 milionë euro. Ndërsa për mallra dhe për shërbime, duke përfshirë këtu edhe shpenzimet komunale, kanë arritur vlerën afër 200 milionë euro. Në anën tjetër për shpenzime kapitale u shpenzuan një çerek miliardi euro.

Mbi 1 miliard euro të hyra në Ministrinë e Financave

Ministria e Financave në raport ka bërë të ditur se gjatë nëntëmujorit të parë të vitit paraprak të hyrat kanë arritur vlerën 1 milion e 379 mijë euro. “Të hyrat buxhetore kanë arritur vlerën prej 1 miliard e 379 milionë eurosh, duke shënuar rritje prej 7% e që korrespondon me 89.43 milionë euro më shumë, duke krahasuar me nëntëmujorin e vitit paraprak”, bëhet e ditur në raport.

Sipas MF-së, kjo shumë përfaqëson 71% të planit vjetor të parashikuar. “Kjo shumë e të hyrave përfaqëson 71% të planit vjetor të parashikuar, ndërsa rritja në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka ardhur kryesisht nga rritja e të hyrave të rregullta tatimore dhe jotatimore. Ky trend i mirë i të hyrave tatimore dhe jotatimore vlerësohet se vjen si rrjedhojë e performancës së sektorit privat, të përmirësimit të vazhdueshëm të ambientit të të bërit biznes, si dhe të aktiviteteve shtesë nga agjencitë mbledhëse të të hyrave”, theksohet aty.

Afër 1 miliard euro mblidhen nga Dogana

Të hyrat e mbledhura nga Dogana e Kosovës në Ministrinë e Financave kanë arritur shifrën afër 1 miliard euro. “Të hyrat e mbledhura nga Dogana e Kosovës kanë arritur vlerën bruto prej 864 milionë eurosh ose 70% e planit buxhetor për vitin 2019, duke shënuar rritje prej 27 milionë eurosh ose 3% më shumë duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, konfirmohet në raportin financiar.

Ndërsa të hyrat e mbledhura nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) shënojnë shifrën mbi 372 milionë euro. “Të hyrat e mbledhura nga Administrata Tatimore e Kosovës kanë arritur vlerën bruto prej 372 milionë eurosh, duke shënuar rritje prej 35 milionë eurosh ose 11% më shumë duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, bëhet e ditur në raportin që e ka siguruar gazeta “Zëri”.

Në anën tjetër sipas MF-së, në të hyrat jotatimore përgjatë 2019-s ka pasur rritje. “Të hyrat jotatimore kanë pasur realizim prej 157 milionë eurosh ose rritje prej 14% duke krahasuar me vitin paraprak si rezultat kryesisht i rritjes së të hyrave jotatimore nga niveli qendror dhe lokal për rreth 14.57 milionë euro, si dhe rentës minerare për rreth 2. 84 milionë euro”, theksohet tutje.

Mbi 1 miliard euro shpenzime për pagesa

Gjatë nëntëmujorit të vitit paraprak mbi 1 miliard euro janë shpenzuar nga Ministria e Financave vetëm për shpenzime për paga. “Gjithsej shpenzimet gjatë nëntëmujorit pagesat ishin në shumë prej 1 miliard e 406 milionë eurosh dhe paraqesin 57% të planit vjetor për shpenzime, ndërsa duke krahasuar me realizimin e nëntëmujorit të vitit paraprak kemi rritje prej 77 milionë eurosh ose 6%”, bëhet e ditur në këtë raport.

Shpenzimet për paga dhe për rroga kishin vlerën afër gjysmë miliardi euro. “Shpenzimet për paga dhe për rroga shënuan vlerën prej 457 milionë eurosh gjatë këtij nëntëmujori, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 73% duke krahasuar me vlerën totale vjetore të buxhetuar për këtë kategori. Shpenzimet për paga gjatë periudhës raportuese paraqesin një rritje prej 4,1% ose mbi 18 milionë euro më shumë duke krahasuar me shpenzimet e pagave në periudhën e njëjtë të vitit 2018”, theksohet aty.

Për mallra dhe për shërbime, duke përfshirë këtu edhe shpenzimet komunale, kanë arritur vlerën afër 200 milionë euro. “Shpenzimet në subvencione dhe në transferime arritën shumën prej 445 milionë eurosh (prej

të cilave 361 milionë euro transferime sociale), që paraqet një rritje prej 44 milionë eurosh, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 73%, duke krahasuar me vlerën totale të buxhetuar për këtë kategori ose 11% më shumë duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018”, njoftohet tutje.

Ndërsa për shpenzime kapitale u shpenzuan një çerek miliardi euro. “Shpenzimet kapitale arritën vlerën prej 259 milionë eurosh, që paraqet një normë të ulët të ekzekutimit, duke krahasuar me vlerën totale vjetore të buxhetuar për këtë kategori ose periudhën e njëjtë paraprake si rezultat i aprovimit me vonesë të Ligjit për Ndarjet Buxhetore për Vitin 2019, si dhe një intensiteti të ulët i ekzekutimit të buxhetit nga organizatat buxhetore”, bëhet e ditur aty./Zëri