Dogana e Kosovës mblodhi 10 milionë euro nga kontrabanda me mallra
Foto: Laura Hasani

Dogana e Kosovës mblodhi 10 milionë euro nga kontrabanda me mallra

Ekonomia January 21, 2020 - 08:14
Serbia për çdo ditë humbë 1.039.000 euro që nga vendosja e taksës 100 për qind për importin e produkteve të Serbisë
Image

Ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiq, ka thënë se ekonomia e Serbisë për çdo ditë humb nga 1.039.000 euro prejse është vendosur taksa 100 për qind në importin e produkteve serbe në Kosovë, derisa tregun e Serbisë në Kosovë tani e kanë marrë Greqia, Bullgaria, Hungaria, Kroacia, Sllovenia, Turqia dhe Maqedonia Veriore. Dogana e Kosovës: Në vitin 2019 importi nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina ishte 6 milionë euro, shkruan sot Zëri.

Ekonomia e Serbisë për çdo ditë humb nga 1.039.000 euro prejse Prishtina ka vendosur taksën 100 për qind në importin e produkteve të Serbisë. Më së shumti ka humbur industria ushqimore, pasi endin e produkteve serbe në tregun e Kosovës tani e kanë marrë kompanitë nga vende të tjera, derisa praktikisht Serbia më nuk është e pranishme në tregun e Kosovës. 

. Kështu ka deklaruar në Beograd të hënën ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiq, duke folur për dëmet që Serbisë ia ka shkaktuar taksa e vendosur nga ana e Qeverisë së Kosovës 14 muaj më përpara.

Importi nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina më 2019-n ka rënë në 6 milionë euro

“Për gati 14 muaj prejse është vendosur taksa në territorin e Kosovës janë dërguar nga Serbia 435 milionë euro mallra më pak, duke krahasuar me të njëjtën periudhë para vendosjes së taksës. Tregun tonë në Kosovë tani e kanë marrë kompanitë nga Greqia, Bullgaria, Hungaria, Kroacia, Sllovenia, Turqia dhe Maqedonia Veriore”, ka thënë Lajiq, përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës. Lajiq, i cili me partinë e tij SDPS është partneri më besnik i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë gjithashtu se pa BE-në, pa SHBA-të, pa Kinën e pa Rusinë si anëtare të përhershme të OKB-së është vështirë të gjendet zgjidhje e qëndrueshme për Kosovën.

Ai ka vlerësuar se nevojitet njëlloj i “Dejtonit”, kur kjo punë të vijë në rend dite. “E dyta, sipas deklaratave të deputetëve politikë të Prishtinës nuk shihet as edhe minimumi i gatishmërisë për çfarëdo kompromisi. E treta, bashkësia ndërkombëtare në këtë moment vepron sikurse nuk di gjë as për vetveten e lëre më seriozisht të merret me zgjidhjen e problemit kosovar”, ka thënë ai.

Në një pyetje lidhur me bisedimet për koalicione të mundshme për të dalë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë dhe për faktin se Aleksandër Vuçiqi në Lajiqin e sheh aleatin besnik dhe se e numëron Lajiqin ndër ata partnerë që pamjaftueshëm e ka mbrojtur në opinion, Lajiq, i cili është lider i SDPS-së, është përgjigjur se ka biseduar me Vuçiqin para disa muajsh dhe beson se bisedimet do të vazhdojnë deri në shpalljen e zgjedhjeve. “Unë e vlerësoj, sepse prej fillimit jemi partnerë korrektë dhe në asnjë formë nuk kemi dhënë shkas që dikush të na akuzojë për jolojalitet. SDPS-ja ka biseduar për zgjedhjet vetëm me SNS-së e Vuçiqit”, ka thënë Lajiqi.

Ndërkaq radio “Kontakt Plus” në veri të Mitrovicës përcjell një deklaratë të kreut të Doganave të Kosovës, Bahri Berisha, dhënë medieve në Prishtinë, lidhur me dinamikën e importit dhe të eksportit të mallrave nga Serbia e Bosnjë e Hercegovina në Kosovës dhe anasjelltas. Ai ka veçuar se nga kontrabanda me mallra janë inkasuar rreth 10 milionë euro. Sipas Berishës, importi i produkteve nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina në vitin 2019 ka rënë në 6 milionë euro nga 530 milionë euro sa ishte në vitet më përpara. Kjo ka ardhur si pasojë e vendosjes së taksës 100 për qind në importin e produkteve serbe dhe të atyre boshnjake në Kosovë para 14 muajve. Sipas Doganës së Kosovës, tani për tani më së shumti importohet nga Gjermania, pastaj mallra turke dhe kineze.

Bahri Berisha, drejtor i Doganave të Kosovës, ka thënë se të hyrat doganore për vitin 2019 kanë qenë rreth 1.2 miliard euro. “Importi nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina nga 530 milionë euro ka rënë në 6 milionë euro. Kjo diferencë e madhe është bërë për shkak të masave mbrojtëse që janë marrë ndaj këtyre vendeve. Dogana në emër të fletëparaqitjeve kundërvajtëse dhe përpjekjeve për kontrabandim të mallrave ka inkasuar rreth 10 milionë euro.

Gjatë vitit 2019 - mbi 300 raste të kontrabandimit të mallrave

Masat mbrojtëse ndaj Serbisë dhe ndaj Bosnjë e Hercegovinës kanë prodhuar luftën kundër kriminalitetit ndërkufitar dhe kontrabandës me mallra, posaçërisht të atyre produkteve që janë përpjekur të kontrabandohen nëpër rrugë malore me sasi të vogla dhe me vetura. “Gjatë vitit 2019 janë regjistruar mbi 300 raste të kontrabandimit të mallrave”, ka thënë ai. I pari i Doganës së Kosovës ka thënë se nga Shqipëria në Kosovë janë importuar në vitin 2019 mallra në vlerë prej 270 milionë eurosh e që është 10 për qind më shumë se në vitin 2018, derisa nga Kosova në Shqipëri janë dërguar mallra në vlerë prej 80 milionë eurosh, derisa ka shtuar se është rritur eksporti në tregun evropian.

“Ekzistojnë kompani që kanë realizuar eksport të mallrave në vlerë prej 1 milion eurosh, por tani eksportin është 1.3 milion euro, kështu që për kompanitë kosovare është tregues i mirë, sepse kanë arritur që produktet e tyre të gjenden në tregun e jashtëm posaçërisht pijet, ushqimi, dyer e dritare dhe prodhime tjera”, ka thënë Berisha, i cili për fund ka bërë të ditur se për shkak të mosmiratimit të buxhetit për vitin 2020 Dogana nuk ka ndonjë projekt preciz të të hyrave për vitin 2020.

Në anën tjetër drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë ka thënë të hënën se Serbia ka filluar realizimin e programit “Srbija 2025” në Kosovë me ndarjen e 150 milionë eurove për projekte të ndryshme. “Gjatë vitit të kaluar (2019) me iniciativën e presidentit Vuçiq dhe në bashkëpunim të plotë me qeverinë, Zyrën për Kosovën dhe institucionet tjera ka filluar në Kosovë realizimit i 348 projekteve për ndihmë popullit tonë në Kosovë. Qëllimi ynë është që në periudhën e ardhshme të jemi pranë secilit serb, i cili ndihet qytetar serb në Kosovë. E dimë mirë se sot lufta për Serbinë në Kosovë është luftë për njerëzit”, ka deklaruar Gjuriq./Zëri