Sa është numri i punëtorëve në Banka Komerciale në Kosovë?

Sa është numri i punëtorëve në Banka Komerciale në Kosovë?

Ekonomia January 23, 2020 - 11:06

Bankat Komerciale në Kosovë janë punëdhënësi më i madh në sektorin financiar. Përgjatë viteve, ky sektor ka punësuar numër më të madh të punëtorëve sesa sektorët e tjerë financiarë, si: Institucionet Mikrofinanciare (IMF), Institucionet Financiare Jo-Bankare (IFJB), Kompanitë e Sigurimeve, etj.

Industria bankare vlerësohet të jetë një sektor atraktiv për punësim për të rinjtë në Kosovë. Kjo shihet edhe nga numri i studentëve që kanë studiuar dhe vazhdojnë të studiojnë në drejtimin “Banka, Financa dhe Kontabilitet” në Universitetin e Prishtinës dhe kolegjet private në vend.

Sidoqoftë, në vitet e fundit, atraktiviteti i sektorit ka filluar të bie si pasojë e numrit më të vogël të mundësive të punësimit, intensitetit më të lartë të punës, si dhe pagave mujore.

Sipas statistikave të ASK-së, përderisa para 10 viteve ky sektor ka pasur paga më të larta se sa sektorët tjerë, tani ky dallim është zvogëluar dukshëm.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, 3 mijë e 322 persona punojnë nëpër banka në Kosovë. Ky numër është dukshëm më i madh se ai në vitin 2000, ku 637 persona punonin në industrinë bankare.

Sidoqoftë, numri më i madh i punëtorëve në banka ka qenë në vitin 2011, kur ky sektor ka pasur të punësuar gjithsej 3 mijë e 729 persona. Pra, nga viti 2011 deri në 2019-n, kemi pasur një rënie prej rreth 12 për qind, apo rreth 400 punëtorëve.

Nga analizat e Buletinit Ekonomik, nga viti 2000 deri në 2011-n, vërehet një trend i rritjes së numrit të të punësuarve nëpër banka. Kjo vie si pasojë e rritjes së rrjetit të degëve dhe nëndegëve të bankave nëpër gjithë Kosovë.

Vlen të theksohet se në vitin 2010 ka pasur më së shumti njësi bankare (degë dhe nëndegë) në vend, gjithsej 310 njësi bankare. Ndërsa, sot ky numër ka rënë në 217.

Faktor tjetër me rëndësi është edhe licencimi dhe hyrja në treg e bankave të reja, si: BKT-ja në 2007-n dhe TEB-i në vitin 2011.

Nga viti 2011 deri në 2018-n, ka pasur një zvogëlim të numrit të punëtorëve në industrinë bankare. Disa banka, në emër të shkurtimit të kostove dhe digjitalizimit të shërbimeve, kanë zvogëluar ndjeshëm numrin e punëtorëve. Një ndër bankat me shkurtimet më të mëdha të stafit ka qenë banka ProCredit.

Në vitin 2011, në bankën ProCredit kanë qenë të punësuar 1 mijë e 71 persona. Ndërsa, sot ky numër është përgjysmë më i vogël. Sipas analizave të Buletinit Ekonomik, numri më i madh i punëtorëve të ProCredit Bank janë punësuar në banka të tjera, sidomos në bankat BKT, TEB, BPB, dhe më pak në bankat IS Bank, dhe Ziraat Bank. Shumë prej ish-punëtorëve të ProCredit-it, janë konsideruar si aset i vlefshëm për bankat konkurruese për shkak të përgatitjes së tyre bankare. Ndërkaq, një numër tjetër i personave, është larguar komplet nga industria bankare.

Bazuar në trendet e viteve të fundit, numri total i punëtorëve në këtë sektor në vitet e ardhshme, pritet të mbetet i njëjtë, 3 mijë e 200 deri 3 mijë e 400 persona. Masat shkurtuese të stafit dhe degëve në shumicën e bankave, si duket kanë përfunduar. Hyrja e bankave të reja në treg, mund të rrisë lehtë numrin e të punësuarve. Sidoqoftë, si përqindje e totalit ky ndryshim do të jetë i vogël. /Buletini Ekonomik