Mbi 360 mijë euro gjoba për partitë politike
FOTO: Laura Hasani

Mbi 360 mijë euro gjoba për partitë politike

Ekonomia January 25, 2020 - 10:45
31 janari është data e fundit deri kur partitë politike në vend, kanë kohë që t`i paguajnë borxhin prej 360 mijë euro PZAP-it, për gjobat e shqiptuara, gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar. Në rast që të njëjtat nuk i paguajnë gjobat në kohën e përcaktuar, PZAP-i mund të iniciojë procedurën e përmbarimit

Gati katër muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit, partitë politike në vend kanë dështuar që të kryejnë obligimet financiare ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Shqiptimi i gjobave për partitë politike, u kushtoi atyre mbi 360 mijë euro, teksa vetëm disa parti kanë filluar pagesat e tyre, shkruan sot gazeta "Zëri"

Katër parti kanë paguar në tërësi ato, një parti ka paguar gati gjysmën e borxhit dhe shtatë të tjera nuk kanë paguar ende asnjë cent. Në mesin e partive politike që nuk i kanë paguar ende gjobat janë: Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, që dolën të parat në zgjedhjet e nivelit qendror. PZAP-i në rast të mospagimit të borxheve nga partitë politike, në kohën e paraparë, pra deri më 31 janar të këtij viti, ka të drejtën e inicimit të procedurës së përmbarimit. 

Në ndërkohë PZAP-it i kanë mbetur borxh edhe dy parti qysh nga Zgjedhjet Lokale të vitit 2017. Subjekti politik ALTERNATIVA është gjobitur me 15 mijë e 450 euro, dhe deri me tani ka paguar 13 mijë e 950 euro, ndërsa subjekti politik KTAP është gjobitur me 2 mijë e 200 euro dhe nuk e ka paguar ende shumën e borxhit. Ndaj këtij subjekti është iniciuar procedura e përmbarimit për arkëtimin e borxhit. 

Partitë politike në vend nuk u kanë shpëtuar gjobave të PZAP-it, gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit. Mbi 360 mijë euro ka qenë shifra e gjobave tëshqiptuara për partitë në vend. 

“Për zgjedhjet e 6 tetorit 2019, PZAP-i ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike në shumë prej 360 mijë euro”, ka bërë të ditur për “Zërin”, Mulë Desku, kryesues i sekretariatit te PZAP-it. 

Deri më tani, sipas Deskut, partitë politike, kanëpaguar vetëm 84 mijë e 900 euro, teksa pjesa tjetër nuk është paguar ende. 

“Subjektet politike deri me tani kanë paguar 84 mijë e 900 euro gjoba. Aktualisht shuma e gjobave të papaguara të subjekteve politike është gjithsej 275 mijë 100 euro. PZAP-i është duke pritur reflektimin e subjekteve politike që t`i paguajnë gjobat”, ka thënë ndër të tjera ai./Zëri