Këto parti kanë filluar larjen e borxhit ndaj PZAP-it

Këto parti kanë filluar larjen e borxhit ndaj PZAP-it

Ekonomia January 25, 2020 - 11:57
31 janari është data e fundit deri kur partitë politike në vend, kanë kohë që t`i paguajnë borxhin prej 360 mijë euro PZAP-it, për gjobat e shqiptuara, gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar. Në rast që të njëjtat nuk i paguajnë gjobat në kohën e përcaktuar, PZAP-i mund të iniciojë procedurën e përmbarimit

Gati katër muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit, partitë politike në vend kanë dështuar që të kryejnë obligimet financiare ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Shqiptimi i gjobave për partitë politike, u kushtoi atyre mbi 360 mijë euro, teksa vetëm disa parti kanë filluar pagesat e tyre, shkruan sot gazeta “Zëri”. 

Katër parti kanë paguar në tërësi ato, një parti ka paguar gati gjysmën e borxhit dhe shtatë të tjera nuk kanë paguar ende asnjë cent. 

Partia Demokratike  e Kosovës (PDK), Lista Serbe, Partia e Goranëve, Partia Liberale Egjiptiane dhe Partia Iniciativa e Re Demokratike  e Kosovës kanë filluar të paguajnë paratë e gjobave. PDK-ja, sipas Deskut, ka paguar pothuajse gjysmën e tyre. 

“Partia Demokratike e Kosovës nga 100 mijë e 100euro, ka paguar 45 mijë euro. Ende ka pa paguar edhe 55 mijë e 100 euro”, ka thënë ai. 

Ndërsa sipas Deskut, katër partitë tjera të lartcekura kanë paguar në tërësi ato. 

“Lista Serbe i ka paguar të gjitha gjobat 36 mijë e 500 euro. Partia e Goranëve ka paguar në tërësigjobat prej 1 mijë e 100 euro. Partia Liberale Egjiptiane ka paguar në tërësi gjobat 1 mijë e 100euro. Partia Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës – IRDK ka paguar në tërësi gjobat prej 1 mijë e 200 euro”, ka bërë të ditur Desku për "Zërin".