PZAP-i paralajmëron marrjen e parave nga partitë politike me përmbarues

PZAP-i paralajmëron marrjen e parave nga partitë politike me përmbarues

Ekonomia January 25, 2020 - 13:32
31 janari është data e fundit deri kur partitë politike në vend, kanë kohë që t`i paguajnë borxhin prej 360 mijë euro PZAP-it, për gjobat e shqiptuara, gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar. Në rast që të njëjtat nuk i paguajnë gjobat në kohën e përcaktuar, PZAP-i mund të iniciojë procedurën e përmbarimit

Gati katër muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit, partitë politike në vend kanë dështuar që të kryejnë obligimet financiare ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Shqiptimi i gjobave për partitë politike, u kushtoi atyre mbi 360 mijë euro, teksa vetëm disa parti kanë filluar pagesat e tyre, shkruan sot gazeta "Zëri".

Katër parti kanë paguar në tërësi ato, një parti ka paguar gati gjysmën e borxhit dhe shtatë të tjera nuk kanë paguar ende asnjë cent. Në mesin e partive politike që nuk i kanë paguar ende gjobat janë: Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, që dolën të parat në zgjedhjet e nivelit qendror. PZAP-i në rast të mospagimit të borxheve nga partitë politike, në kohën e paraparë, pra deri më 31 janar të këtij viti, ka të drejtën e inicimit të procedurës së përmbarimit.

Kryesuesi i i sekretariatit te PZAP-it, Mul Deku ka thënë për “Zërin” se në rast që partitë politike nuk i paguajnë gjobat në afatin kohorë të përcaktuar, atëherë mund të iniciohet procedura e përmbarimit. 

“Në fillim të këtij vitit janar –shkurt, subjektet politike do ti paralajmërojmë që këto gjoba ti paguajnë, nëse edhe pas paralajmërimit nuk i paguajnë gjobat, atëherë ndaj të gjitha subjekteve qe nuk i paguajnë gjobat e tyre pas kalimit të afatit të përcaktuar në paralajmërim, PZAP-i do të inicion procedurën e përmbarimit të këtyre gjobave përmes përmbaruesit privat”, ka thënë ai. 

Ndër të tjera, Desku përmendi edhe paralajmërimin që u është bërë partive politike për kohën se deri kur duhet që ti lajnë borxhet. 

“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP-i, në fillim të këtij viti ka njoftuar/paralajmëruar subjektet politike që brenda 15 ditëve kalendarike duke filluar nga data 17 Janar deri me 31 Janar 2020, të paguajnë gjobat e shqiptuara nga PZAP-i ndaj tyre për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 06 tetorit 2019, në të kundërtën PZAP-i do të jetë i detyruar që të zbatoj ligjin e aplikueshëm, respektivisht do të mund të shqipton dënime shtesë për secilin vendim veç e veç, si dhe do të zbatoj ligjin e aplikueshëm të procedurës përmbarimore nr. 04/L-139”, ka thënë tutje ai./Zëri