OEK: Vonesat në krijimin e qeverisë po u shkaktojnë dëme të mëdha bizneseve

OEK: Vonesat në krijimin e qeverisë po u shkaktojnë dëme të mëdha bizneseve

Ekonomia January 28, 2020 - 08:18
Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2019 te bizneset është hasur një bllokadë, që ka ndikuar në uljen e besueshmërisë së bizneseve
Image

Mosmiratimi i buxhetit për vitin 2020 nuk është duke ndikuar vetëm në buxhetin e vendit, por edhe në uljen e besueshmërisë së bizneseve. Kështu ka deklaruar dje kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një konferencë të përbashkët, të organizuar me shoqatën e zejtarëve dhe të afaristëve ESNAF - Prizren. Në këtë takim u shqyrtua mundësia e lidhjes së bashkëpunimit me qëllim të përkrahjes së sektorit privat në Kosovë.

Sipas Rukiqit, gjatë tremujorit të fundit të vitit 2019 te bizneset është hasur një bllokadë, që ka ndikuar në uljen e besueshmërisë së bizneseve. Rukini theksoi se kjo ka ndodhur si shkak i vonesave në krijimin e qeverisë dhe zvarritjes së procesit zgjedhor. “Sa u përket vonesave, dua ta ritheksoj edhe një herë faktin që nuk kemi vetëm efekte të cilat lidhen me buxhetin ose me mundësinë që të ketë vonesa në miratimin e buxhetit, mirëpo kemi dëme shumë më të mëdha në vetë performancën e bizneseve e që vërehen në muajt e fundit. Në indikatorin e matjes së këtyre bizneseve, duke u bazuar në rezultatet e para që i kemi, rezultatet nuk janë mjaft inkurajuese. Kjo gjë ka ndikuar në uljen e besueshmërisë së bizneseve pikërisht nga këto bllokadat e gjata, qoftë prej momentit kur janë shpallur zgjedhjet, pastaj edhe në finalizimin e rezultatit zgjedhor”, u shpreh Rukiqi.

Ditëve të fundit nga i dërguari special i presidentit të SHBA-së, Richard Grenell, janë proklamuar dy marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e që kanë të bëjnë me një linjë ajrore dhe një hekurudhore mes dy shteteve, Duke folur mbi këto marrëveshje, Rukiqi theksoi se gjatë vitit 2013 OEK-u ka iniciuar një dialog teknik lidhur me këto marrëveshje. “Ne në vitin 2013 kemi iniciuar një dialog teknik me Odën Ekonomike të Serbisë, ndërsa tri tema kryesore kanë qenë: eliminimi i barrierave në përgjithësi, i barrierave teknike që ekzistojnë dhe i barrierave tjera, të cilat pamundësojnë lëvizjen e lirë të mallrave, por edhe të njerëzve me Serbinë, e dyta ka qenë eliminimi i barrierave infrastrukturore dhe e treta ka qenë pjesa e shërbimeve postare”, ka thënë më tutje kryetari i OEK-ut.

Obstruksioni serb në fusha tjera, sipas Rukiqit, ka ndikuar të mos ketë progres atëkohë për largimin e këtyre barrierave. “Për shkak të zhvillimeve që pastaj pasuan nga obstruksioni serb në shumë fusha tjera, të cilat rezultuan edhe me vendosjen e taksës, ndikoi që të mos ketë progres në atë kohë. Mirëpo ne i kemi konsideruar si marrëveshje të një pakoje të përgjithshme, që e mundësojnë lëvizjen e lirë të mallrave, të shërbimeve dhe të njerëzve mes Kosovës dhe Serbisë. Normalisht duke shfrytëzuar edhe infrastrukturën që do të ndërtojmë në mes të dy vendeve dhe për lidhjen me korridoret e rëndësishme ndërkombëtare”, tha ai.

Sa i përket takimit me shoqatën ESNAF, Rukiqi tha se kanë bashkëpunim të mirëfilltë qe shumë vite dhe shpreson që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

Në anën tjetër, kryetari i shoqatës së zejtarëve dhe afaristëve ESNAF - Prizren, Varis Xhejlani, u shpreh se vizita e tyre sot në OEK ishte që të shpërndajnë buletinin e punuar për 25-vjetorin e kësaj shoqate./Zëri.