Anulimi i tenderit 110 milionësh nga Lumir Abdixhiku, flet Pal Lekaj

Anulimi i tenderit 110 milionësh nga Lumir Abdixhiku, flet Pal Lekaj

Ekonomia February 15, 2020 - 10:10

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ditë më parë ka paralajmëruar se do të nisë procedurat për anulimin e tenderit prej 110 milionë euro për autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë.

Por, ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj e konsideron të padrejtë dhe euforik vendimin e ministrit Abdixhiku për anulimin e këtij tenderi.

Lekaj thotë se vendimi për këtë autostradë është projektuar me buxhet dhe është vendim i Kuvendit të Kosovës.

“Sa i përket vendimit të Ministrit Abdixhiku mendoj që është i pa vend sepse nuk ndryshon bota me ardhjen e një qeverie apo të një ministri dhe ne duhet të vazhdojmë kontiunitetin ashtu siç e kam vazhduar dhe unë. Ministri mendoj që ka qenë jo fort i saktë në këtë drejtim pa analizuar, sepse ajo autostradë është e projektuar me buxhet dhe është vendim në parlamentin e Kosovës. Ta quaj është ligj dhe që tani ministri të përzihet ne procedurat e prokurimit është i pavend dhe mendoj që ka qenë pak euforik”, thotë ai.

Ndërsa sa i përket pretendimeve të Lëvizjes Fol për parregullsitë në këtë autostradë, Lekaj thotë se nuk ka pas shkelje në këto procedura, në të kundërtën thotë se janë organet kompetente që duhet të merren më këto konstatime.

“Të jeni të bindur që tani do të bindet edhe ministri dhe nuk do ti ndjek procedurat dhe nuk guxon të përzihet në  zyrën prokurimit por unë nuk mendoj që ka pas shkelje në procedurat sepse buxheti ka qenë por nëse dikush ka diçka të tillë atëherë janë organet kompetente dhe i lus që të informojnë dhe të fillojnë procedurat sipas ligjit”, thotë ai.

Sa i përket zgjedhjeve të brendshme të AAK-së, Lekaj pohoi se kanë filluar përgatitjet për ndryshimin e statutit të AAK-së.

Ai shtoi se asnjë anëtar nuk do të ketë pengesë të kandidojë në pozitat e caktuara.

“Sa i përket zgjedhjeve të brendshme të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ne kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe jemi munduar që të ndryshojmë statutin e Aleancës dhe na ja kemi arrit që me të vërtet që të zhvillohet një proces demokratik i brendshëm ku lejohet konkurrenca dhe mund të them që nuk ka asnjë pengesë asnjë anëtar i Aleancës të kandidoj në pozitat e caktuar dhe që të fitojë dhe prandaj ky është një proces demokratik dhe mendoj që do të dalim të fortë dhe edhe më të fortë në këtë proces zgjedhor”, thotë ai për EO.

Ai për përbërjen e kabinetit qeveritar të qeverisë Kurti tha se çdo kush i zgjedh njerëzit më të mirë që të ndikojnë në procese pozitive, por Lekaj nuk mund të vlerëson në diçka që nuk njeh.

“Unë nuk kam shumë njohuri të madhe për personat që kanë ardhur por çdo kush i zgjedh njerëzit më të mirë që do të ndikojnë në proceset pozitive të zhvillimit ekonomik dhe gjithëmbarshëm në Kosovë dhe prandaj është detyrë e tyre dhe nuk mund të vlerësojë në dikë që nuk e njoh”, thotë ai.