Shatri: Ndryshimet në AKP mund të bëhen vetëm përmes ligjit

Ekonomia February 15, 2020 - 17:31
Agjencia Kosovare e Privatizimit pritet të shuhet, përkatësisht të funksionojë si një agjenci e veçantë brenda Qeverisë së Kosovës. Sipas njohësve të rrethanave, ky proces mund të ndodhë vetëm me ndryshime ligjore. Përfundimi i procesit të privatizimit, i filluar para shumë viteve, është i domosdoshëm për t’i hapur rrugë shuarjes së kësaj agjencie

Shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe transferimi i saj në kuadër të një agjencie brenda Qeverisë së Kosovës është njëra ndër prioritetet e kryeministrit Albin Kurtit për sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit gjatë qeverisjes së tij. Me krijimin e fondit sovran pritet që asetet strategjike të Kosovës të kalojnë në duart e këtij fondi. Mirëpo një gjë e tillë sipas njohësve të çështjeve të ekonomisë po shihet me rrezik, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sipas tyre, këto vendime kanë rrezik për shkak që, siç theksojnë ata, sado që të jetë e parashikuar mirë reforma, të njëjtat varen nga jetëgjatësia e qeverisë. Po ashtu edhe mospërfundimi i procesit të privatizimit po shihet si pengesë për realizimin e këtij synimi.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, i ka thënë gazetës se krijimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit është çështje e rregulluar me ligj dhe se e njëjta mundet të ndryshohet vetëm përmes ligjit.

"Fillimisht kjo çështje është e rregulluar me ligj. Ligji për Agjencinë e Privatizimit e ka ndryshuar atë nga AKM në AKP, siç është tani. Forma,mënyra e rregullimit dhe obligimet janë të përcaktuara me ligj. Qeveria duhet të nisë iniciativën për të ndryshuar ligjin dhe ta transformojë atë në një agjenci në kuadër të ndonjëministrie ose në ndonjë formë tjetër”, ka thënë Shatri, për "Zërin".

Të nevojshme ai e ka parë edhe mbylljen e procesit të privatizimit, pasi pa u përfunduar ky proces nuk është e preferueshme as mbyllja e agjencisë.

 “AKP-ja nuk mund të mbyllet si proces, sepse procesi i privatizimit duhet tëpërfundojë si një fazë e tranzicionit. Pronat, të cilat po degradohen, pronat të cilat janë pa mbikëqyrje, mbesin nëmëshirë të askujt dhe duhet të përmbyllen këto procese”, ka thënë më tutje ai. 

Për sa u përket synimeve të qeverisë “Kurti” për shuarjen e kësaj agjencie dhe për inkuadrimin e saj në një agjenci, e cila pritet të krijohet brenda Qeverisë, Shatri theksoi në rast se kjo bëhet me qëllim të ndërrimit të punonjësve të AKP-së, atëherë nuk mund të ketë asnjë efekt pozitiv. 

"Se si do ta realizojë këtë gjë mandati i ri qeverisës nuk e dimë. Nëse dëshirojnë që këtë veprim ta bëjnë veç sa për të ndërruar personat dhe në pozita të vendosin të tjerë në vend të atyre që janë, nuk ka asnjë efekt në Kosovë dhe mund të ketëinteres vetëm për ndonjë grup të interesit. Mbetet të shihet, nuk dua të paragjykoj asgjë. Për sa i përket ekonomisë sëKosovës, procesi i privatizimit nuk vlerësohet se ka qenë nëmasën që është pritur si shtytës i proceseve zhvillimore. Ky proces duhet të përmbyllet”, ka thënë ndër të tjera ai. /Zëri