Bashkimi i ATK-së dhe i Doganës, prioritet i qeverisë 'Kurti'
Foto: Laura Hasani

Bashkimi i ATK-së dhe i Doganës, prioritet i qeverisë 'Kurti'

Ekonomia February 18, 2020 - 09:56
Image

ATK-ja dhe Dogana e Kosovës, njëherësh dy institucionet më kontributdhënëse në buxhetin e shtetit, nga qeveria e porsaformuar po synohet të bashkohen në një institucion të vetëm. Bërja bashkë e tyre është njëra ndër prioritetet në kuadër të zhvillimit ekonomik në planin e harmonizuar nga koalicioni qeverisës, shkruan gazeta "Zëri".

Dy kontribuuesit më të mëdhenj në thesarin e shtetit, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Dogana e Kosovës, pritet të bashkohen nën një ombrellë. Pavarësisht se në këto institucione ende nuk kanë arritur shkresa zyrtare lidhur me këtë proces, një gjë e tillë parashihet edhe në planin e harmonizuar për zhvillimin ekonomik nga koalicioni qeverisës i sapoformuar. Ishte kryeministri Albin Kurti, i cili posa u zgjodh në krye të ekzekutivit gjatë shpalosjes së prioriteteve të Qeverisë para kuvendarëve ndër të tjera apostrofoi bashkimin e ATK-së me Doganën në një institucion të vetëm. Sipas njohësve të rrethanave, për këtë proces duhen analiza të mirëfillta, pasi e tërë rrjedhoja varet edhe nga funksionimi i administratës, si dhe nga zhvillimi ekonomik i vendit. Megjithatë, ata kanë vlerësuar se dy institucionet mund të funksionojnë së bashku pa asnjë problem, edhe pse po ata shprehen skeptikë që procesi mund të marrë rrjedhë të paparashikueshme.

ATK: Nuk kemi marrë asnjë njoftim për bashkim me Doganën

Ndonëse kryeministri i porsazgjedhur Albin Kurti ka deklaruar se një prioritet për sa i përket zhvillimit ekonomik në Kosovë është bashkimi i ATK-së dhe i Doganës, një pretendim i tillë ende nuk u është kumtuar zyrtarisht këtyre institucioneve. Zyrtarë për informim nga ATK-ja i kanë thënë gazetës se deri më tani nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar për bashkim me Doganën e Kosovës. “Deri më tani nuk kemi ndonjë njoftim nga Qeveria lidhur me bashkimin e ATK-së dhe të Doganës së Kosovës. ATK-ja përkrah iniciativat e Qeverisë së Republikës të Kosovës, të cilat sigurisht kanë për qëllim rritjen e efektivitetit të punës. Projekti i bashkimit të ATK-së dhe të Doganës së Kosovës nuk nënkupton shuarje të njërit ose të tjetrit institucion, sepse aktivitetet e të dyja institucioneve do të vazhdojnë vetëm se do të jemi të bashkuara në një autoritet”, thuhet në përgjigjet dhënë gazetës nga zyra për informim e ATK-së.

Hadërgjonaj: Nevojiten analiza të mirëfillta për këtë proces

Pesimiste për procesin e bashkimit të ATK-së me Doganën e Kosovës është shprehur ish-anëtarja e Komisionit për Zhvillimin Ekonomik dhe Financa në Legjislaturën e VI, Safete Hadërgjonaj. Sipas saj, për të ndodhur një proces i tillë nevojitet të ketë analiza të mirëfillta. “Edhe më parë është diskutuar çështja e bashkimit të ATK-së me Doganën e Kosovës. Ka pasur lëvizje edhe në dy qeveritë e mëparshme. Unë nuk jam shumë pro heqjes së Doganës, mirëpo ka pasur lëvizje para. Duhet të bëhen analiza të mirëfillta. Në radhë të parë nuk duhet të cenohet interesi i shtetit, sepse ne jemi shtet e që konsideroj se Dogana është diçka shumë e vlefshme për shtetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Shatri: Dy institucionet mund të veprojnë bashkë nën një ombrellë

Bashkimi i ATK-së dhe i Doganës së Kosovës sipas ish-ministrit të Financave Haki Shatri nuk është një ide e re. “Ideja për bashkimin e ATK-së me Doganën është një ide bukur e gjatë. Ka qenë opsion edhe i mandatave të kaluara, por është bukur një procedurë e koklavitur. Ideja duket e mirë, por kur të fillohet së zbatuari do ta shohim se ka shumë ngatërresa dhe telashe, kështu që më pas pa filluar procesi ka ndalesa dhe pritje se si do të veprohet”, ka thënë ai për “Zërin”.

Sipas tij, të dyja institucionet mund të funksionojnë së bashku vetëm nëse procesi realizohet me hapa gradualë. “Këto dy institucione do të mundë të funksionojnë nën një ombrellë dhe me hapa të matur gradualisht, mund edhe të procedohen punët pa u penguar procesi i mbledhjes buxhetore. Kjo mund të realizohet dhe nuk është ndonjë punë e pamundur, por nevojitet përkujdes që procesi të zhvillohet dalëngadalë, sepse nuk mund të ndodhë vetëm me një urdhëresë”, ka thënë ndër të tjera ai, shkruan tutje "Zëri".

Kadrijaj: Me bashkimin e dy institucioneve ndryshohet vetëm menaxhmenti

Njohësi i çështjeve të ekonomisë Mustafë Kadrijaj ka pohuar për gazetën se në rast se ndodh bashkimi i ATK-së me Doganën ndryshime do të ketë vetëm në menaxhment, por jo edhe në administrimin e tyre. “Nëse puna do të vijë deri te bashkimi i këtyre dy institucioneve, vlerësoj se nuk do të kursehet buxheti në paga dhe në mëditje, sepse administrata nuk ndryshon, përveç menaxhmentit. Ngarkesë do të jetë edhe për menaxhmentin si autoritet i ri”, ka thënë Kadrijaj.

Këtë proces ai e ka parë me risk, pasi varet nga zhvillimi ekonomik dhe funksionimi i administratës. “E kuptoj që z. Kurti është duke tentuar të bëjë diçka ndryshe nga ajo çka është bërë deri më tani. Vendimet në lidhje me faktorët vendimtarë për zhvillimin ekonomik, siç janë ATK-ja dhe Dogana, bartin një rriskë të madh. Kjo pasi ato varen nga funksionimi i administratës dhe i zhvillimit ekonomik në përgjithësi. Nuk jam i prirë për paragjykime, por çdo vendim i ri bart në vete rrezikun se si do të funksionojë dhe sa do të jetë me frytdhënëse në arkën e shtetit, sepse nuk është patjetër vetëm të reduktojmë institucione, por të jenë kontribuuese në arkën e shtetit dhe për lehtësira në të bërit biznes në Kosovë”, ka thënë ai.

ATK-ja, thesar për thesarin e shtetit

Vetëm gjatë vitit që lamë pas nga ATK-ja në buxhetin e shtetit kanë hyrë mbi gjysmë miliardi euro. Përpos kësaj, ATK-ja po ashtu ka arritur të ulë stokun e borxheve për afër 22 milionë euro ose me një përqindje rreth 44,7%. Gjatë 2019-s një ndër qëllimet e ATK-së ka qenë edhe luftimi e parandalimi i ekonomisë joformale, prej ku nga zyra për informim e këtij institucioni është pohuar se ATK-ja ka hartuar “Planin për përmirësimin e përmbushjes në sektorin e ndërtimtarisë 2019 - 2021”, në të cilin hyjnë edhe reforma të tjera, si ajo e konsolidimit të mbledhjes së detyrueshme, e automatizimit të proceseve të punës, e rimbursimit të TVSH-së, e kontrollit tatimor, si dhe e modernizimit të teknologjisë informative.

Nga ky institucion për gazetën është thënë që edhe gjatë vitit paraprak njëra ndër prioritetet ka qenë automatizmi i shërbimeve për tatimpagues, siç është rimbursimi i TVSH-së, zbatimi i sistemit të ri të TI-së, hartimi i planit të integritetit përmes të cilit pritet të ketë përmirësim të mëtejmë të cilësisë së shërbimeve për qytetarët/tatimpaguesit dhe pika të tjera po aq të rëndësishme. Tutje nga ata për gazetën është pohuar se në vazhdimësi kanë pasur përkrahje nga organizata ndërkombëtare, si nga FMN-ja, GIZ-i, OECD-ja, nga BE-ja e institucione të tjera./ZËRI