AAK: Taksa ka nxitur rritjen e punësimit dhe shitjen e produkteve vendore
Foto: Laura Hasani

AAK: Taksa ka nxitur rritjen e punësimit dhe shitjen e produkteve vendore

Ekonomia February 24, 2020 - 14:08
AAK-ja kërkon mbajtjen e taksës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur sot një takim e ku temë diskutimi ka qenë taksa 100 përqind ndaj produkteve serbe. Kjo parti ka kërkuar që taksa të mbetet ende në fuqi pasi që sipas tyre e njëjta ka pasur rol konstruktiv në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

“Të nderuar Komunitet i Biznesit, përfaqësues të OJQ-ve, media, kolegë Deputet të Parlamentit të Kosovës, të gjithë të pranishëm, mirë se keni ardhur. Kosova ka pasur rol konstruktiv në këtë proces, duke respektuar edhe vullnetin e fuqive të mëdha euroatlantike që fuqishëm e kanë përkrahur dialogun Kosovë – Serbi, e interesuar që ky proces të përmbyllet sa më parë”, është thënë gjatë këtij diskutimi.

Duke u bazuar në hulumtimet e realizuara për efektin e taksës, sipas AAK-së, ka pasur rritje të dukshëm të të punësuarve dhe shitjes së produkteve vendore.

“Nga hulumtimet e realizuara të institucioneve financiare, Odave të Bizneseve, OJQ-ve, rezulton që pas vendosjes së tarifës 100%, prodhimi në vend përjeton një ”renesancë”. Kemi rritje të dukshme të numrit të të punësuarve dhe prezencë shumë të madhe në rrjetet e shitjes të produkteve “Made in Kosova”. Hulumtimet dhe analizat e bëra nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve, vërtetojnë që efektet pozitive të taksës janë manifestuar në rritje të dukshme të shitjeve të produkteve vendore, rritje të prodhimtarisë, rritje të lehtë në punësim (sidomos në sektorin e prodhimit), e veçanërisht në ngritjen e vetëdijes së konsumatorëve për konsumin e produkteve vendore”, është thënë tutje atu.

AAK-ja i ka bërë thirrje spektrit politik dhe bizneseve që të debatojmë me argumente për iniciativën e Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifës pa kushtëzimin e realizimit të marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi dhe vendosjes së masave të reciprocitetit.

“Pushtetet nuk janë asgjë kur flasim për ruajtjen e sovranitetit të Kosovës. Ftoj të gjithë spektrin politikë për një konsensus nacional duke pas parasysh që kemi të bëjmë me një temë të rëndësisë nacionale. Andaj, të nderuar përfaqësues të komunitetit të biznesit, sot si grup parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ju kemi ftuar që për këtë temë të debatojmë me argumente për iniciativën e Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifës pa kushtëzimin e realizimit të marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi dhe vendosjes së masave të reciprocitetit. Unë besoj që janë krijuar kushtet që Kosova ta përdorë taksën si kusht për marrëveshje përfundimtare të obligueshme për të dy shtetet”, është thënë gjatë diskutimit. /ZËRI