Shatri për mosmiratimin e buxhetit: Shteti ka nevojë për veprim
Foto: Laura Hasani

Shatri për mosmiratimin e buxhetit: Shteti ka nevojë për veprim

Ekonomia February 25, 2020 - 14:29
Vendimi për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit dhe ai për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” janë ndër projektet më të përfolura në vend për sa i përket kostos së lartë të shpenzimit dhe kahjes që u është dhënë këtyre dy projekteve. Të njëjtat vazhdimisht janë kritikuar edhe nga opozitarët, që tanimë janë në ekzekutiv, teksa sipas njohësit të çështjeve ekonomike Haki Shatrit ato duhet të vazhdojnë së realizuari përderisa nuk ekzistojnë shkelje procedurale

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, njëherësh edhe ish-këshilltar për çështje ekonomike i ish-kryeministrit Ramush Haradinajt, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë që projekti për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit duhet të vazhdojë. Duke folur mbi shkëputjen e disa vendimeve të marra nga qeveritë paraprake, Shatri ka theksuar se asnjë projekt nuk duhet të ndalet pa u bërë analiza të thella, duke përfshirë kështu edhe projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Sipas tij, Qeveria e re në krye me Albin Kurti duhet të fokusohet në luftimin e disa faktorëve, që janë duke ndikuar në moszhvillimin ekonomik të Kosovës e që sipas tij janë duke ndikuar edhe në ikjen e investuesve të huaj nga Kosova. Për sa i përket synimit të ekzekutivit për rritjen e buxhetit në 3 miliardë euro, njohësi i çështjeve ekonomike theksoi se ende nuk është e qartë se për cilën pjesë të buxhetit bëhet fjalë. Sipas tij, nëse ky synim ka të bëjë me të hyrat buxhetore Qeveria do ta korrë këtë sukses qysh në vitin e parë të qeverisjes.

Zëri: Pse po vonohet miratimi i buxhetit për këtë vit?

Shatri: Nuk e fajësoj këtë qeveri për vonim të derisotshëm. Ndoshta do t’i kisha fajësuar për zvarritjen e konsituimit të qeverisë deri te marrëveshja, duke e ditur që jemi në një periudhë kur përfundon buxheti, pra më 31 dhjetor dhe fillon vitit i ri buxhetor, shteti ka nevojë për veprim. Brenda kësaj kohe, nga 3 shkurti Qeveria duhet t’i rregullojë shifrat e buxhetit në pajtim me synimet e veta. Buxheti e dimë që është instrument kryesor për t’i realizuar objektivat politike të një qeverie të caktuar. Në këtë kuptim edhe pse një draft i buxhetit ka qenë i përgatitur në afatet kohore të caktuara me ligj nga qeveria paraprake, edhe pse në dorëheqje, draftbuxheti më 31 tetor ka qenë i gatshëm nga Ministria e Financave dhe nga qeveria. Mirëpo qeveria nuk ka pasur të drejtë ta aprovojë atë, pasi ka qenë në dorëheqje. Qeveria në dorëheqje nuk ka të drejtë të marrë vendime, të cilat efektin e tyre e shtrijnë në mandatin tjetër qeverisës. Buxheti dihet që është me efekt gjatë tërë vitit, pra deri në fund të vitit buxhetor 2020. Por ky mandat qeverisës i ka synimet tjera. Pos të tjerash, vetëm rregullimi teknik i buxhetit me rastin e fuzionimit të ministrive ka shumë punë dhe kërkon angazhim, sepse nuk janë bashkuar thjesht një ministri me një tjetër, por ato janë përshtatur me disa drejtori, disa departamente me një ministri, disa me një ministri tjetër ose në disa ministri dhe aty kërkohet shumë angazhim. Nga Departamenti i Buxhetit të Ministrisë së Financave kërkohet që këto shifra t’i harmonizojë në pajtim me mundësitë buxhetore. Të shohim prej sot e tutje se sa po vonohemi. Po flas për aspekte teknike dhe jo për ato përmbajtjesore. Të shohim se çfarë po ndryshojnë në kuptimin përmbajtjesor të buxhetit për vitin 2020. Këtë nuk e kemi parë ende dhe nuk e di, sepse nuk kemi ndonjë gjë të shkruar ose dokument, ku mund të bazohemi për vendimet e kësaj qeverie drejt ndryshimeve në raport me draftin paraprak të buxhetit./ZERI

Lexo edhe Shatri: Për teka të ekzekutivit të mos ndërpriten projektet e qeverive të kaluara
Aktuale February 25, 2020