Shatri: Sundimi i rendit dhe i ligjit, parakusht për kthimin e investimeve të huaja
Foto: Laura Hasani

Shatri: Sundimi i rendit dhe i ligjit, parakusht për kthimin e investimeve të huaja

Ekonomia February 25, 2020 - 15:50
Vendimi për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit dhe ai për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” janë ndër projektet më të përfolura në vend për sa i përket kostos së lartë të shpenzimit dhe kahjes që u është dhënë këtyre dy projekteve. Të njëjtat vazhdimisht janë kritikuar edhe nga opozitarët, që tanimë janë në ekzekutiv, teksa sipas njohësit të çështjeve ekonomike Haki Shatrit ato duhet të vazhdojnë së realizuari përderisa nuk ekzistojnë shkelje procedurale

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, njëherësh edhe ish-këshilltar për çështje ekonomike i ish-kryeministrit Ramush Haradinajt, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë që projekti për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit duhet të vazhdojë. Duke folur mbi shkëputjen e disa vendimeve të marra nga qeveritë paraprake, Shatri ka theksuar se asnjë projekt nuk duhet të ndalet pa u bërë analiza të thella, duke përfshirë kështu edhe projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Sipas tij, Qeveria e re në krye me Albin Kurti duhet të fokusohet në luftimin e disa faktorëve, që janë duke ndikuar në moszhvillimin ekonomik të Kosovës e që sipas tij janë duke ndikuar edhe në ikjen e investuesve të huaj nga Kosova. Për sa i përket synimit të ekzekutivit për rritjen e buxhetit në 3 miliardë euro, njohësi i çështjeve ekonomike theksoi se ende nuk është e qartë se për cilën pjesë të buxhetit bëhet fjalë. Sipas tij, nëse ky synim ka të bëjë me të hyrat buxhetore Qeveria do ta korrë këtë sukses qysh në vitin e parë të qeverisjes.

Zëri: Çka duhet të bëjë Kosova urgjentisht dhe çka në etapë më të gjatë kohore për rikthimin e investimeve të huaja në vend?

Shatri: Problemi i parë është sundimi i rendit dhe i ligjit. Nëse kjo arrihet do të krijohet një parakusht i përgjithshëm për ardhjen e investimeve nga jashtë. Por ky nuk është i vetmi kusht. Ne duhet të krijojmë edhe rrethana të tjera lehtësuese në vend për të tërhequr investitorë të jashtëm. Në mesin e tyre është infrastruktura e ku në radhë të parë hyn infrastruktura ekonomike, energjia, rrugët, telekomunikimet e të tjera. Por ka edhe probleme të tjera, që përcillen, siç është mungesa e një strukture të caktuar profesionale të të rinjve, që u përgjigjet nevojave të ekonomisë. Pra jo vetëm një diplomë shkolle, fakulteti ose çfarëdo, por që është në pajtim me kërkesat e ekonomisë. E këso ka shumë, të cilat në një formë i kemi neglizhuar deri sot ose i kemi injoruar. /ZERI

Lexo edhe Shatri: Për teka të ekzekutivit të mos ndërpriten projektet e qeverive të kaluara
Aktuale February 25, 2020