Koronavirusi bllokon sektorin privat në vend, një pjesë e punëtorëve do mbesin pa paga për këtë muaj

Koronavirusi bllokon sektorin privat në vend, një pjesë e punëtorëve do mbesin pa paga për këtë muaj

Ekonomia March 27, 2020 - 13:54
Pavarësisht që dje Ministria e Financave dhe Transfereve ka bërë ekzekutimin e pagave për punëtorët e sektorit publik në vend, ende nuk dihet se çfarë do të ndodh me punëtorët e sektorit privat, të cilët kanë ndërprerë punën, pas masave të vëna nga Qeveria e Kosovës me qëllim të mbrojtjes dhe parandalimit të virusit Covid-19
Image

Masat e marrë nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen dhe parandalimin e virusit Covid-19, ka bërë që shumë bizneseve të sektorit privat të ndalojnë punën. Kanë qenë organizatat e biznesit ato të cilët kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës 300 milionë euro për të mbështetur sektorin privat në vend, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Sipas tyre një pjesë e punëtorëve të këtij sektori do të mbesin pa paga për muajin mars, teksa ndërhyrjen e Qeverisë për të përmirësuar këtë gjendje e kanë parë emergjente. Kësaj thirrje i janë bashkuar edhe prodhuesit në vend të cilët kanë kërkuar nga Qeveria ndihmë gjatë kohës së kësaj pandemie, pasi që sipas tyre tanimë veçse po ka vështirësi në sigurimin e lëndës së parë.

Organizatat e biznesit kërkojnë nga Qeveria 300 milionë euro për sektorin privat

Organizatat e biznesit kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të alokojë më së largu këtë javë së paku 300 milionë euro për mbështetjen e sektorit privat. Sipas një njoftimi për media, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, kanë kërkuar nga Qeveria në detyrë që të prezantojë me prioritet pakon e masave emergjente në mbështetje të ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga masat e ndërmarra për përhapjen e pandemisë, përcjell gazeta “Zëri”.

Sipas tyre ka rrezik që një pjesë e madhe e punonjësve të sektorit privat të mbetet pa të ardhura për muajin mars, e që sipas organizatave të biznesit do të ndikojë në thellimin e gjendjes së vështirë sociale në vend.

“Organizatat e biznesit i kërkojnë Qeverisë që jo më larg se këtë javë të aprovojë programin e likuiditetit i cili do të përfshinte: (1) Një pako financiare në vlerë prej së paku 300 milionë eurosh për fazën emergjente, (2) Subvencionimin e pagave për punonjësit e të gjitha ndërmarrjeve, aktiviteti i të cilave është ndërprerë apo vështirësuar në masë të madhe, (3) Subvencionimin e pagesave të qirasë për të gjitha ndërmarrjet, aktiviteti i të cilave është ndërprerë apo vështirësuar në masë të madhe, dhe (4) Subvencionimin e të gjitha shpenzimeve të tjera operative për të gjitha ndërmarrjet aktiviteti i të cilave është ndërprerë apo vështirësuar në masë të madhe”, thuhet në njoftim.

Prodhuesit kërkojnë mbështetje urgjente nga Qeveria pas ndikimit të pandemisë

Qeveria duhet të ndërmarrë masa të menjëhershme për të trajtuar vështirësitë ekonomike me të cilat po përballet sektori privat në përgjithësi, dhe prodhuesit në veçanti, ashtu që të zbus sadopak krizën që po rezulton nga pandemia globale COVID-19. Kjo u konkludua gjatë një forumi virtual me transmetim direkt të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ku u diskutua mbi aktivitetet e prodhimit në kohë të krizës, shkruan tutje gazeta “Zëri”.

Kujtim Gjevori, themelues i kompanisë Scampa dhe njëherësh kryesues i komitetit të prodhimit në Odën Amerikane, theksoi se megjithë sfidat e vazhdueshme të prodhuesve në Kosovë, rezultatet e krizës globale mund të jenë fatale për këtë industri nëse e njëjta nuk stimulohet. Sipas tij, efekti i pandemisë ka qenë i menjëhershëm për sektorin e prodhimit, ndërsa vazhdimi i rritjes së kostove qoftë operacionale apo të sigurimit të lëndës bazë, eventualisht do të ua pamundësojë mbijetesën shumë bizneseve prodhuese. Gjevori shprehu shqetësimin e tij mbi mungesën e iniciativave nga shteti, dhe u bëri thirrje institucioneve të bashkëpunojnë ngushtë me akter relevant për të përkrahur bizneset para se dëmet e kësaj krize të jenë të pariparueshme për ekonominë e vendit.

Gojart Kelmendi, themeluesi i kompanisë Eurokosova potencoi se vështirësitë në sigurimin e lëndës së parë si dhe rritja e kostos së kësaj lënde janë ndër çështjet më shqetësuese për industrinë e prodhimit. Ai konsideroi se sigurimi i qarkullimit të parasë është krucial në funksionimin më të rregullt të zinxhirit të furnizimit, gjersa kërkoi nga Qeveria që të ri-alokojë mjetet financiare për nevoja emergjente në përkrahje të sektorit privat. Për më tepër, Kelmendi shtoi se askush nga Qeveria nuk i ka kontaktuar deri më tani për të vlerësuar ndikimin që pandemia ka pasur në sektorin e prodhimit, ose për të ofruar mbështetje të çfarëdoshme, ndërsa theksoi nevojën që Qeveria të paktën të jetë azhurne në pagesa me kontraktorë. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të fokusohen në blerje të produkteve vendore, në mënyrë që qarkullimi i parave të mbetet brenda Kosovës.

Gjatë kësaj tryeze u diskutua edhe për domosdoshmërinë e prioritizimit të produkteve vendore në proceset e tenderimit, në mënyrë që prodhuesit vendorë të ndihmohen, dhe dëmet ekonomike në vend të zvogëlohen.

Shoqata e Gastronomëve: Punëtorët e sektorit privat të paguhen gjatë pandemisë

Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës i kanë bërë apel qeverisë që punëtorët e sektorit privat të kenë pagë të dinjitetshme për kohën që nuk po punojnë si pasojë e pandemisë. Kjo shoqatë ka shkruar se minimumi i pritjeve është paga për sektorin privat dhe koha për të vepruar është tani, përcjell gazeta “Zëri”.

“Asnjë politikan nuk i duhet shtetit pa ekonomi dhe pa sektor privat. Minimumi i pritjeve tona është një pagë e dinjitetshme për punëtorët e sektorit privat, për kohën që nuk po punojnë, si pasojë e pandemisë, nga taksat e tyre që ata i paguajnë në buxhetin e vendit. Koha për të vepruar është tani”, thuhet në reagim./ZËRI