Këta do të jenë përfituesit e pagës shtesë 300 euro dhe 100 euro

Këta do të jenë përfituesit e pagës shtesë 300 euro dhe 100 euro

Ekonomia March 31, 2020 - 10:53

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës është miratuar Pakoja Emergjente Fiskale me vlerë 176.9 milion euro, me të cilën janë paraparë disa masa për të ruajtur thellimin e krizës në sektorin e ekonomisë, si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19 në vend, shkruan gazeta “Zëri”.

Me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Qeveria në detyrë ka miratuar këtë Pako e ku një ndër masat e parapara është edhe sigurimi i mjeteve shtesë për punëtorët në terren dhe që janë të ekspozuar ndaj rrezikut me virus.

“Sigurimi i shtesës mbi pagë në vlerë prej treqind (300 €) euro për punëtorët në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërdrejt rrezikut të infektimit në punën e tyre (jo i gjithë stafi i institucionit): Stafi mjekësor (mjekët dhe infermierët), policët e Policisë së Kosovës, zyrtarët (gardianët) e Shërbimit Korrektues, zyrtarët (zjarrfikësit) e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, personeli (ushtarët) i FSK-së, punëtorët që punojnë në Karantinë - Qendra e Studentëve të Prishtinës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Punës, zyrtarët (inspektorët) e Administratës Tatimore të Kosovës, Zyrtarët (doganierët) e Doganës së Kosovës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Tregut, zyrtarët (inspektorët) e inspektorateve përkatëse komunale, zyrtarët e Inspektorati të Mjekësisë së Punës, për muajin Prill dhe Maj deri në vlerë prej pesëmbëdhjetë milionë (15,000,000.00 €) euro”, bëhet e ditur në vendimin e Qeverisë.

Ndërsa për punëtorët e dyqaneve ushqimore, farmacive dhe furrave janë ndar 100 euro pagë shtesë, raporton tutje “Zëri.info”.

“Pagesë shtesë në vlerë prej njëqind (100 €) euro për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe farmacive për majin Prill dhe Maj, në vlerë deri në tre milionë (3,000,000.00 €) euro”, bëhet e ditur aty. /ZËRI