Azemi: Pakoja Fiskale Emergjente e pamjaftueshme, punëtorët po largohen nga puna

Azemi: Pakoja Fiskale Emergjente e pamjaftueshme, punëtorët po largohen nga puna

Ekonomia March 31, 2020 - 12:31
Image

Pas përhapjes së virusit COVID-19, shumë punëtorë të sektorit privat në vend janë duke u larguar nga puna. Pavarësisht gjendjes emergjente, për shkak të masave të marra nga Qeveria për mbrojtje nga koronavirusit, bizneseve në vend u është pezulluar veprimtaria, deri më 6 prill.

Nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës kjo gjendje është parë me shqetësim pasi që sipas tyre tanimë shumë kompani janë duke larguar punëtorët nga puna gjatë kësaj periudhe. Ndërsa Pakoja Fiskale Emergjente e miratuar dje nga Qeveria e Kosovës, sipas kësaj sindikate është e pamjaftueshme, raporton “Zëri.info”.

“Ende shumë punëtorë ballafaqohen me problemet e masave mbrojtëse. Gjatë kësaj periudhe kemi vërejtur se shumë kompani janë duke i larguar punëtorët. Largimi po ndodh në mënyrë individuale dhe grupore për të cilat kemi raste në shumë kompani dhe komuna, ku këto po ndodhin qysh në ditët e para të fillimit të pandemisë. Përveç largimit nga punë, pronarët e kompanive po i ulin edhe pozitat e punëtorëve duke iu ofruar kontrata të tjera gjatë kësaj periudhe ku gjendemi. Edhe pse shumë punëtorë kanë mundësi t’i kryejnë punët nga shtëpia, pronarët e kompanive këtë nuk e ka lejuar. Ne kemi vendime, ku pronarët e kompanive i kanë larguar nga puna”, ka thënë Jusuf Azemi kryetar i kësaj sindikate në një konferencë për media.

Të nevojshme Azemi e ka parë nxjerrjen e një vendimi që do t`i ndëshkonte të gjitha ato kompani që shkelin Ligjin e Punës dhe të drejtat e punëtorëve, raporton tutje “Zëri.info”.

“Për shkeljet e të drejtave të punëtorëve që po bëhet në këtë periudhë, ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të nxjerr një vendim që ato kompani që shkelin Ligjin e Punës të marrin masa ndëshkuese”, thotë ai.

Bazuar në ndarjet që janë bërë në Pakon Emergjente Fiskale, sipas Azemit ka mundësi që të paguhen vetëm 200 mijë punëtorë, teksa ka pohuar se rreth 120 mijë punëtorë në vend, punojnë pa kontrata të punës.

“Për deri sa janë ndarë 40 milionë euro për muajin prill dhe muajin maj, ka mundësi që të paguhen vetëm 200 mijë punëtorë. Njoftoj opinionin se ne kemi rreth 150 mijë punëtorë pa kontrata, për të cilin ne shtetin me kohë e kemi njoftuar, por tani pres që të ketë një përplasje ndërmjet sindikatës dhe qeverisë por edhe të punëtorëve, sepse këta janë njerëz të barabartë. Thërras Qeverinë e Kosovës dhe organet kompetente që pa sindikatën nuk mund të bëhet asnjë ndarje dhe nuk do të jetë një shumë e mjaftueshme për këtë kategori të punëtorëve. Nga fondi i miratuar, i propozoj Qeverisë së Kosovës që 20 për qind e tij apo 36 milionë euro të mbetet kategori e rezervuar, sepse do të dalin kategori e punëtorëve që Ministria e Financave nuk i ka paraparë farë. Andaj, që të mos ketë lëvizje, apo pakënaqësi të mëdha, thërras që kjo pjesë të mbetet rezervë”, përfundoi Azemi.