Azemi: 120 mijë punëtorë pa kontrata të punës

Azemi: 120 mijë punëtorë pa kontrata të punës

Ekonomia March 31, 2020 - 12:36
Image

Pas përhapjes së virusit COVID-19, shumë punëtorë të sektorit privat në vend janë duke u larguar nga puna. Pavarësishtë gjendjes emergjente, për shkak të masave të marra nga Qeveria për mbrojtje nga koronavirusit, bizneseve në vend u është pezulluar veprimtaria, deri më 6 prill. Nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës kjo gjendje është parë me shqetësim pasi që sipas tyre tanimë shumë kompani janë duke larguar punëtorët nga puna gjatë kësaj periudhe. Ndërsa Pakoja Fiskale Emergjente e miratuar dje nga Qeveria e Kosovës, sipas kësaj sindikate është e pamjaftueshme, raporton “Zëri.info”.

Bazuar në ndarjet që janë bërë në Pakon Emergjente Fiskale, sipas kryetarit të kësaj sindikate Jusuf Azemit ka mundësi që të paguhen vetëm 200 mijë punëtorë, teksa ka pohuar se rreth 120 mijë punëtorë në vend, punojnë pa kontrata të punës.

“Për deri sa janë ndarë 40 milionë euro për muajin prill dhe muajin maj, ka mundësi që të paguhen vetëm 200 mijë punëtorë. Njoftoj opinionin se ne kemi rreth 150 mijë punëtorë pa kontrata, për të cilin ne shtetin me kohë e kemi njoftuar, por tani pres që të ketë një përplasje ndërmjet sindikatës dhe qeverisë por edhe të punëtorëve, sepse këta janë njerëz të barabartë. Thërras Qeverinë e Kosovës dhe organet kompetente që pa sindikatën nuk mund të bëhet asnjë ndarje dhe nuk do të jetë një shumë e mjaftueshme për këtë kategori të punëtorëve. Nga fondi i miratuar, i propozoj Qeverisë së Kosovës që 20 për qind e tij apo 36 milionë euro të mbetet kategori e rezervuar, sepse do të dalin kategori e punëtorëve që Ministria e Financave nuk i ka paraparë farë. Andaj, që të mos ketë lëvizje, apo pakënaqësi të mëdha, thërras që kjo pjesë të mbetet rezervë”, përfundoi Azemi.

Me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, qeveria në detyrë ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale me 179.6 milion euro për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik nga përhapja e pandemisë së Coronavirusit në vend./ZËRI