Karvanë maunash me mallra nga Serbia futen në Kosovë

Karvanë maunash me mallra nga Serbia futen në Kosovë

Ekonomia April 02, 2020 - 13:08

Pas heqjes së taksës qind për qind nga qeveria “Kurti” në detyrë, shumë shpejt dhe vrullshëm është ringjallur në përmasa të mëdha futja e mallrave nga Serbia në Kosovë. Në ditën e parë pas heqjes së taksës, siç është raportuar nga zyrtarë doganorë të Kosovës, në vendin tonë, nëpërmjet pikës kufitare në Merdarë, brenda një dite janë futur me dhjetëra mauna me mallra të ndryshme, shkruan gazeta Zëri.

Sot që nga mëngjesi janë parë shumë kamionë me regjistrime të ndryshme nga qytete të shumta serbe, që kanë kaluar pikën kufitare të Merdarës në drejtim të Kosovës. Më saktësisht, sot në orën 12 pa 10 minuta nga fshati Shtedim deri në Merdarë, që është një distancë fare e vogël, diku rreth 1.5 kilometra, gazetarët e “Zërit” kanë numëruar 5 mauna të mbushura me produkte e me mallra nga Serbia, që ishin futur në territorin e vendit tonë. Ndërsa në pikën kufitare në Merdarë, në trasenë që vjen nga Serbia, shihet karvanë maunash, në pritje të kryerjes së formaliteteve doganore për t’u futur në Kosovë.

Zyrtarët tanë doganorë sot kanë preferuar që të japin të dhëna më të shumta rreth shifrave të futjes së kamionëve nga Serbia në Kosovë në fund të përfundimit të bilancit ditor.//ZERI