ASK: Shkalla e papunësisë në Kosovë vjet ishte 25,7 për qind

ASK: Shkalla e papunësisë në Kosovë vjet ishte 25,7 për qind

Ekonomia April 02, 2020 - 15:13

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për vitin 2019.

Anketa ka pasur shtrirje në 998 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 8.815 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e regjistrimit të popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave të vitit 2011.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15 – 64-vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 40,5%.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP) për vitin 2019 është 30,1%.

Punësimi më i lartë është te meshkujt 46,2%, ndërsa punësimi te femrat është 13,9%. Femrat janë të punësuara kryesisht në sektorin e arsimit, të tregtisë dhe të kujdesit shëndetësor, me 53 për qind të tyre. Ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorin e tregtisë, të ndërtimtarisë dhe të prodhimit, me 46,3%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 17%; ndërtimtaria me 12,6%; prodhimi me 11,9%; si dhe arsimi me 10,0%. Ndërsa sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, 45,3% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 54,7% kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, shkalla e papunësisë në vitin 2019 ishte 25,7%. Papunësia më e theksuar ishte te femrat me 34,4%, duke e krahasuar me meshkujt, 22,6%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup-moshat 15 - 24-vjeçare me 49,4%.

Sipas rezultateve të AFP-së, fuqia joaktive në vitin 2019 ishte mjaft e lartë, 59,5%, me fokus të veçantë te femrat me 78,9%, duke e krahasuar me meshkujt, 40,3%.

Për realizimin e AFP-së, për vitin 2019, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e EUROSTAT-it.