Sa para do t’i marrë Kosova nga BE-ja për tejkalimin e krizës?

Sa para do t’i marrë Kosova nga BE-ja për tejkalimin e krizës?

Ekonomia May 29, 2020 - 15:40

Kosova deri më tani ka arritur t’i përfitojë vetëm 5 milionë euro nga 3.3 miliardë euro të premtuara në Samitin e Zagrebit për vendet e Ballkanit Perëndimor, bëjnë të ditur zyrtarë të Qeverisë në detyrë të Kosovës.

Bashkimi Evropian në deklaratën e Samitit të Zagrebit ka konfirmuar përkrahjen për vendet e Ballkanit Perëndimor për tejkalimin e pandemisë dhe pasojave të COVID-19 (sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi), duke ofruar fonde të BE-së me shumën totale prej 3.3 miliardë eurove.

Këto mjete të ndara është thënë se kanë për qëllim adresimin e menjëhershëm të nevojave shëndetësore dhe humanitare të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, si dhe për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.

Zëvendësministri në detyrë i Integrimit Evropian, Taulant Kryeziu, tha për radion “Evropa e Lirë” se deri më tani nga këto fonde të premtuara për Ballkanin Perëndimor në Samitin e Zagrebit Kosova ka përfituar 5 milionë euro si ndihmë për pajisje shëndetësore për Ministrinë në detyrë të Shëndetësisë.

Ndërkaq, fondet të tjera, të cilat pritet të merren, janë duke u negociuar me Bashkimin Evropian.

“Nga këto fonde (3.3 miliardë euro) Kosova synon t’i përfitojë edhe 50 milionë euro të tjera, të cilat do të alokohen nga fondet e Instrumentit të Paraanëtarësimit, si ndihmë për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike. Bashkimi Evropian, po ashtu, synon t’i ndajë edhe 455 milionë euro për riaktivizim ekonomik, që do të jepen në kombinim me institucionet financiare ndërkombëtare për tërë rajonin. Kosova do të përfitojë nga kjo pako, por shuma nuk është e përcaktuar ende”, thotë Kryeziu.

Ndërkaq, në formë huaje, bën të ditur Kryeziu, nga këto fonde të premtuara në Samitin e Zagrebit do të jepen 750 milionë si ndihmë makrofinanciare për tërë Ballkanin Perëndimor dhe këtu Kosova pritet t’i përfitojë 100 milionë euro.

Kryeziu shton se këto mjete, që do të merren hua ndërkombëtare, do të duhet të ratifikohen me dy të tretat në kuvend, ashtu siç parasheh edhe Kushtetuta e Kosovës. Por, problem aktual i këtyre marrëveshjeve dhe disa të tjerave që tani vetëm janë nënshkruara me mekanizmat ndërkombëtarë mbetet ratifikimi i këtyre marrëveshjeve në Kuvendin e Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i institutit EPIK, thotë për radion “Evropa e Lirë” se përfitimi i fondeve të premtuara në Samitin e BE-së nuk është proces i lehtë dhe, siç thotë ai, Kosova në të kaluarën është ballafaquar me probleme në absorbimin e fondeve të BE-së.

Ai kujton vitin 2019 kur Kosova kishte humbur 12 milionë euro fonde nga BE-ja të dedikuara për ndërtimin e deponisë së mbeturinave të rrezikshme në Kosovë.

“Kemi raste që tregojnë se Kosova nuk ka pasur kapacitete t’i menaxhojë fondet e BE-së”, thotë Shasha. /Rel