Infektuar: 9869
Shëruar: 5480
Vdekur: 303
Përurohen zyrat shtesë të BQK-së

Përurohen zyrat shtesë të BQK-së

Ekonomia July 02, 2020 - 15:19

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti dhe kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti kanë përuruar zyrat shtesë të BQK-së.

Guvernatori Mehmeti me këtë rast tha se përurimi i këtyre zyrave po bëhet në 30-vjetorin e deklaratës së 2 Korrikut, që ishte edhe pikënisje për përpjekjet për pavarësinë dhe forcimin e shtetit të Kosovës, përcjell “Zeri.info”.

“Sektori financiar vazhdimisht është në rritje, prandaj kjo detyrimisht na imponon nevojën që t’i rritim kapacitetet e Bankës Qendrore. Nga sot këto zyra janë funksionale dhe mundësojnë që stafi i BQK-së të ketë kushte më të mira të punës dhe krejt kjo falë mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe përkrahjes së kryetarit të Komunës së Prishtinës. Gjithashtu, shfrytëzoj rastin ta falënderoj edhe Kuvendin Komunal, që ka përkrahur iniciativën e kryetarit”, deklaroi Mehmeti.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, shprehu kënaqësinë për këtë projekt, ku përmes investimeve i është rritur vlera objektit.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është një prej institucioneve më të rëndësishme për neve dhe ka qenë diskutim gati 3-vjeçar, me kërkesën që së pari të ndërtohet një kat në Bankën Qendrore, për çka edhe kemi formuar një komision me Fakultetin e Arkitekturës dhe me ekspertë që kanë rekomanduar të mos bëhet edhe një kat për shkak se do t’ia ndryshonte pamjen njërit prej objekteve që është më së shumti i paraqitur nëpër fotografitë e Prishtinës. Atëherë ne kemi shkuar me zgjidhjen tjetër që është pronë e Komunës së Prishtinës, ku ka qenë e vendosur për vite të tëra Drejtoria e Infrastrukturës dhe kemi vendosur që objektin, i cili ka qenë me shumë probleme, t’ia ofrojmë Bankës Qendrore, ku edhe ia kanë rritur vlerën objektit të Komunës së Prishtinës, sepse kjo ndërtesë nuk mbetet më vetëm një kthinë e errët me plot probleme, po mbetet reprezentative sikur që është edhe BQK-ja”, u shpreh Ahmeti.

Sipas një komunikate të publikuar për media, numri i stafit që do të vendoset në këto zyra do të jetë 60, ndërsa vlera e investimeve të bëra arrin në shumën e mbi 500 mijë eurove.