Bajrami: I kemi mjetet për Pakon Emergjente, por s’mund t’i shpenzojmë pa rishikim të buxhetit

Bajrami: I kemi mjetet për Pakon Emergjente, por s’mund t’i shpenzojmë pa rishikim të buxhetit

Ekonomia July 09, 2020 - 14:59

Ministrja e Financave, Hykemte Bajrami, ka bërë të ditur se Ministria që ajo drejton është përgjegjëse për sigurimin e buxhetit për implementim të plotë të Pakos Emergjente Fiskale.

Sipas saj, mjetet e nevojshme për implementimin e Pakos janë siguruar, por shpërndarja e tyre s’mund të bëhet pa rishikim të buxhetit.

“Ministria e Financave ka gjetur burime financiare për implementim të të gjitha masave të pakos paraprake dhe për masat e reja për rimëkëmbje ekonomike, por këto mjete financiare mund të shpenzohen vetëm pasi të kalojë rishikimi i buxhetit”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.

Ajo ka sqaruar se me rregulloren e re të Qeverisë MF-ja nuk është përgjegjëse për aprovim të aplikacioneve - kërkesave.

“Për aprovim të aplikacioneve për të gjitha masat që kanë të bëjnë me masat për sektorin privat është Komisioni Ndërinstitucional, i cili e ka përfunduar punën e tij në plotëni; është përgjegjëse Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për aprovim final të listave dhe te Ministria e Financave thjesht vjen kërkesa për ekzekutim, e cila Thesarit i merr vetëm disa orë për ekzekutim”, ka thënë ajo.

Siç ka thënë edhe vetë ministrja Bajrami, për momentin implementimi i masave është peng i votimit të rishikimit të Ligjit të Buxhetit në Kuvendin e Kosovës, i cili pritet të hidhet në votim në seancën e cila po mbahet sot. /Zëri