Telekomit i bllokohen xhirollogaritë, ministri Kuçi thotë se po punojnë në gjetjen e zgjidhjes

Telekomit i bllokohen xhirollogaritë, ministri Kuçi thotë se po punojnë në gjetjen e zgjidhjes

Ekonomia July 15, 2020 - 15:52

Gjatë ditës së sotme është bërë e ditur se xhirollogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar nga përmbaruesi privat.

Ndërkaq, pas gjendjes së krijuar në Telekom, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka thënë se po punohet dhe do të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme.

Ai thotë se kjo gjendje ka nisur më 2016-n, kur “Dardafon.net” ka fituar rastin ndaj Telekomit në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit.

“Gjatë ditës së sotme keni mundur të lexoni në medie rreth bllokimit të llogarive bankare të Telekomit të Kosovës. Ky bllokim natyrisht që na shqetësuar dhe i gjithë kabineti im po merret intensivisht me institucionet relevante për të gjetur zgjidhje. Filli i kësaj situate që po ndodh sot është në vitin 2016, kur operatori ekonomik ‘Dardafon.net’ ka fituar në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit, aty ku i është njohur e drejta për përmbarim të borxhit. Tashmë kemi një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës që urdhëron përmbarim, mirëpo jam i bindur që do të arrijmë më të mirën e mundshme. Ne kemi azhurnuar takimet dhe besojmë në zgjidhje. Ftoj punëtorët e Telekomit dhe aktorët tjerë të jenë racionalë në deklarata dhe veprime”, ka thënë Kuçi.

Ndërkaq, Telekomi i Kosovës ka thënë se me shqetësim të jashtëzakonshëm ka pranuar informatën se janë bllokuar llogaritë bankare të korporatës, sipas aktvendimit PPP. nr. 1486/19 të datës 06.07.2020, për të siguruar kështu përmbarimin e të borxhit ndaj Z-Mobile.

“Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës posa është njoftuar me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për refuzimin e prapësimit të përmbarimit, ka njoftuar aksionarin dhe të gjitha institucionet relevante duke ua bërë me dije pasojat e pariparueshme të bllokimit eventual të llogarive bankare. Gjithashtu prej tyre kemi kërkuar me këmbëngulje bashkërenditjen e veprimeve për të parandaluar dhe menaxhuar pasojat e rënda që sjell ky vendim. Me këtë rast e njoftojmë gjithë opinionin publik, institucionet e Republikës së Kosovës se bllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës tashmë ka shkaktuar një dëm të pariparueshëm, duke e rrezikuar kështu ofrimin e shërbimeve të pandërprera të komunikimeve elektronike, duke përfshirë këtu edhe ofrimin e shërbimeve për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës (shërbimet e numrave emergjentë, policisë, zjarrfikësve, AKI-së, Qeverisë, ministrive dhe komunave, Ushtrisë së Kosovës, Entit Epidemiologjik, spitaleve, IKSHPK-së) etj., të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe të mbi 1 milion konsumatorëve, të cilët përdorin shërbimet e Telekomit të Kosovës”, thuhet në reagimin e Telekomit.

Theksohet se në këto momente menaxhmenti i Telekomit të Kosovës është duke e hartuar planin e veprimit emergjent, të bazuar në këtë situatë dhe rrethanë të re, në mënyrë që të mund të mbajnë operimin dhe funksionalitetin e ofrimit të shërbimeve ndaj institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës.

“Gjendja është alarmante dhe kjo kërkon mobilizimin urgjent të të gjitha institucioneve përgjegjëse shtetërore për tejkalimin e këtij rreziku, që mund të shkatërrojë tërësisht këtë aset vital të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim është e domosdoshme që menjëherë të zhbllokohen llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës dhe të suspendohet kjo masë”, përfundohet në reagimin e Telekomit të Kosovës.