Gastronomët “para falimentimit”, kërkojnë ndihmën e shtetit

Gastronomët “para falimentimit”, kërkojnë ndihmën e shtetit

Ekonomia July 16, 2020 - 18:26

Shoqata e Gastronomeve të Kosovës, ka paralajmëruar institucionet e shtetit se në rast nuk ndihmohet ky sektor, do të falimentojë.

Ata kanë thënë se po përballen me vështirësi pas masave të reja të Qeverisë, ndërsa janë ankuar se nuk po ndihmohen nga shteti për ta kaluar këtë gjendje, transmeton Zeri.info.

“Ndër taksapaguesit më të mëdhenj, i dyti për nga numri i punësimit, krenaria e Prishtinës - sektori i gastronomisë, para falimentimit!!! Të parët që u mbyllën në muajin mars, qe një muaj e gjysmë me vetëm një pjesë të sektorit duke punuar dhe tanimë edhe në orar të shkurtuar. Edhe pse ndihmën që kemi pranuar nga shteti s'mund ta quajmë as lëmoshë - për 4 muaj e gjysmë një ndihmë 170€ që i shkon stafit, dhe gjysmën e një qiraje, ne prapë kemi vazhduar me pagesën e taksave dhe jemi munduar në maksimum t'i mbajmë punëtoret e mos t'i largojmë nga puna”, thuhet në një reagim të Shoqatës së Gastronomëve.

Gastronomët gjithashtu janë ankuar se përveç që nuk po ndihmohen nga shteti, atyre po ju bëhet presion përmes kërcënimeve për gjoba në rast se nuk paguajnë tatimet.

“Është ky momenti i fundit kur duhet ta ktheni kokën nga ky sektor e ta shikoni si një aset të vendit i cili është një hap para falimentimit. Ndihmën që e meritojmë e na takon, s'po e kërkojmë për vete, po e kërkojmë për biznes, që të mbijetojmë sot, e nesër të vazhdojmë kontributin në ekonomi e turizëm, siç e kemi bërë deri tash”, thuhet në reagim./Zëri