Infektuar: 15142
Shëruar: 12674
Vdekur: 615
Pandemia, 40 mijë persona humbën punën në Kosovë që nga fillimi i marsit

Pandemia, 40 mijë persona humbën punën në Kosovë që nga fillimi i marsit

Ekonomia August 04, 2020 - 14:04

Afro 40 mijë persona kanë humbur vendin e punës në Kosovë që nga nisja e pandemisë COVID-19. Faktit shqetësues i bashkëngjiten edhe parashikimet se nëse situata nuk stabilizohet 60 mijë persona parashikohet të mbeten pa punë.

Këtë deklaratë e bëri kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i cili deklaroi se në shumë raste janë edhe vetë punëtorët që detyrohen të lënë punën për shkak se paga nuk ua mbulon shpenzimet.

“Deri në fund të muajit qershor i kemi rreth 40 mijë punëtorë të cilët e kanë humbur vendin e punës dhe nëse vazhdon ky trend kështu në fakt mendojmë që fundi i shtatorit do të jetë mbi 60 mijë punëtorë, të cilët e kanë humbur vendin e punës. Në njëfarë forme punëtorët obligohen që edhe vetvetiu ta lëshojnë vendin e tyre të punës, sepse pagat janë tepër të ulëta dhe pronarët e kompanive gjejnë një shprehje se gjoja nuk kanë punë dhe punëtorët nuk e kanë llogarinë nëse edhe shpenzimet minimale të tyre nuk mbulohen që të shkojnë në vend të punës”, tha Azemi.

Ai deklaroi se rol të madh në numrin e të papunëve po luajnë edhe kushtet e këqija të punës. Të drejtat e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë, sipas Azemit, janë më të shkelurat në rajon.

“Ne kemi tërhequr vërejtjen që edhe pa kohë pandemie të drejtat e punëtorëve në sektorin privat në Kosovë mund të themi se janë të drejtat më te shkelura në rajon dhe sidomos tani në këtë kohë pandemie, njëfarë forme ndoshta edhe është lanë fare anash kjo çështje e të drejtave të punëtorëve, sepse është një gjendje tepër e rëndë dhe një gjendje e cila ndoshta organet kompetente që janë e kanë lënë në renditjen e pesë ose gjashtë, kështu që shumë pak po merren me atë. Edhe pse në këtë kohë kemi numrin maksimal i shkeljeve te të drejtave të punëtorëve, duke u nisur nga orari i punës, pagesa e punës, mungesa e pushimit vjetor, mungesa e pushimeve mjekësore dhe të gjitha”, ka shtuar Azemi.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës në përfundim thotë se nuk ka pasur asnjëherë gjendje kaq të rëndë të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës. /EuronewsAlbania/