Ministria e Ekonomisë arsyeton shkarkimin e bordeve në katër ndërmarrje publike

Ministria e Ekonomisë arsyeton shkarkimin e bordeve në katër ndërmarrje publike

Ekonomia August 04, 2020 - 14:24

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të mbajtur të martën ka shkarkuar bordet e përkohshme të katër ndërmarrjeve publike: Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), KRU “Prishtina”, ndërmarrjes publike qendrore NPH “Ibër-Lepenc” dhe KRU “Hidroregjioni Jugor”.

Në një komunikatë për media Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka arsyetuar shkarkimin e këtyre bordeve.

Sipas MEA-së, shkarkimi i bordeve të këtyre ndërmarrjeve ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të rekomandimit dhe kërkesës nga aksionari Qeveria e Kosovës, që ka kompetencë ekskluzive për ushtrimin e të drejtave të aksionarit në ndërmarrjet publike qendrore.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, e cila ka përgjegjësi të përfaqësimit të aksionarit në këto ndërmarrje publike, e ka brenda saj Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike.

“Kjo njësi i ka dërguar rekomandim dhe kërkesë ministrit Blerim Kuçi për pezullimin e procedurave të rekrutimit të pozitave të larta në ndërmarrjet publike. Arsyeja e kërkesës për pezullimin ishte që duhet pritur deri në fillimin e zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar me Ambasadën Britanike për asistencë në përzgjedhje meritore të pozitave të larta dhe udhëheqëse në ndërmarrje publike qendrore dhe agjenci qeveritare”, thuhet në komunikatën e MEA-së.

Siç thuhet në komunikatën e MEA-së, bordet e përkohshme emërohen, kanë mandat të shkurtë (6-mujor) dhe nuk përzgjidhen me konkurs, ato nuk mund t’u përshtaten objektivave afatgjate të ndërmarrjes duke rekrutuar pozita të rregullta afatgjata të menaxhmentit në ndërmarrjet publike ku veprojnë, siç është tentuar të bëhet.

“Pas këtij rekomandimi dhe kërkese, ministri Kuçi u ka dërguar menjëherë ndërmarrjeve publike qendrore kërkesë që të pezullojnë përkohësisht këto procedura të rekrutimit, deri në fillim të zbatimit të marrëveshjes me Ambasadën Britanike. Kjo kërkesë e ministrit është injoruar totalisht që të zbatohet, madje jo vetëm një herë”.

“Të katër bordet e përkohshme të ndërmarrjeve publike: Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), KRU ‘Prishtinës’, ndërmarrjes publike qendrore NPH ‘Ibër-Lepenc’ dhe KRU ‘Hidroregjioni Jugor’, që tashmë janë shkarkuar nga Qeveria e Kosovës, përkundër kërkesës së ministrit Blerim Kuçi kanë vazhduar procedurat e rekrutimit të zyrtarëve të lartë. Në këtë pikë, për shkak të mospezullimit të procedurave sipas kërkesës së aksionarit, ka ardhur shkarkimi i këtyre bordeve të përkohshme dhe zëvendësimi me anëtarë të rinj të përkohshëm të bordeve të katër ndërmarrjeve publike qendrore.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është e përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve me organizatat joqeveritare dhe ambasadat, që pozitat udhëheqëse në ndërmarrje publike dhe bordet e këtyre ndërmarrjeve të jenë profesionale dhe meritore.

Ministri Blerim Kuçi fton të gjitha organizatat joqeveritare, organizatat ndërkombëtare, ambasadat dhe mediat të jenë mbikëqyrëse të përzgjedhjes së bordeve të rregullta dhe pozitave drejtuese”, thuhet në fund të komunikatës. /Zëri