Infektuar: 15142
Shëruar: 12674
Vdekur: 615
Dogana mbledh 77 milionë euro më pak për gjashtë muaj

Dogana mbledh 77 milionë euro më pak për gjashtë muaj

Ekonomia August 09, 2020 - 09:47

Për gjashtë muajt e parë të këtij viti të hyrat e përgjithshme të inkasuar nga Dogana e Kosovës në total arritën vlerën prej 580 milionë euro gjë që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar paraqet një rënie 77 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë për Ekonomia Online se kjo rënie është si pasojë e mungesës së importeve të disa produkteve.

“Po të hyrat e Doganës për periudhën gjashtë mujore kanë arritur 580 milionë euro. Nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ne kemi një rënie prej 77 milionë euro më pak të hyra, për arsye se ka rënë konsumi e jo për arsye tjera por si rrjedhojë e mungesës së importeve te disa produkteve të ndryshme. Kryesish këtu ka vende të caktuara nga ka rënë importi, por mund të themi që kemi kategori të produkteve të ndryshme të cilat janë zvogëluar gjatë kohës së pandemisë”, thotë ai.

Rënie të importit janë kryesisht produktet e luksit, siç nafta dhe automjetet, teksa thotë se ka 30 për qind më pak automjete sesa vitin e kaluar.

“Mund të marrim si përgjithësi produktet e luksit të gjitha kanë rënë. Nëse marrim vetëm automjetet ne kemi rreth 30 për qind më pak automjete në import se vitin e kaluar, e që janë një burim i konsiderueshëm i të hyrave por kemi rënie edhe të naftës në aspektin e vlerës përshkak se në të gjithë botën ka rënë vlera e importit të naftës dhe normalisht se kjo ka reflektuar direkt në të hyra”, thotë ai.

Stavileci thotë se shumica e qytetarëve nuk i orientojnë shpenzimet e tyre të luksi, por në shpenzime të domosdoshme, siç janë ushqimet, produktet higjienike, e të cilat kanë pesha të mëdha por si vlera nuk ka shumë.

“Ne jemi në kontakt edhe me doganat e vendeve tjera dhe nuk do të thotë se bëjmë përjashtim në aspektin e rënies së të hyrave por në të gjitha vendet e rajonit kanë të raportuara ulje të të hyrave, arsyeja është shumë e thjeshtë, për shkak se ka mungesë të konsumit. Realisht një pjesë e madhe e popullatës nuk i orientojnë shpenzimet e tyre në shpenzimet të luksit, por i orientojnë ato në shpenzime të domosdoshme, siç janë ushqimet, produktet higjienike apo diçka tjetër, të cilat kanë pesha të mëdha por si vlera nuk ka shumë”.

Që nga vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për heqje të masave, Serbia ka eksportuar rreth 72 milionë euro si vlerë të produkteve, por që thotë se kjo shifër mund të rritet deri në fund të këtij viti.

“Nga Serbia kemi rritje të importeve. Ne mund të themi se ka arrit që nga vendimet e fundit për heqje të masave, kemi rreth 72 milionë si vlerë të produkteve cilat janë importuar nga Serbia, presim që deri në fund të vitit të arrijë deri në 140 milionë euro importe nga Serbia por prapë se prapë është ende larg sa ka qenë importi nga Serbia në periudhat e kaluara. Ne kemi pas periudhë kur Serbia ka pasur 450 milionë euro eksporte drejt Kosovës”.

Stavileci u shpreh se me këtë trend të të hyrave, do të mundohen që t’i inkasojnë mbi 1 miliard euro në buxhetin e shtetit.