Infektuar: 17943
Shëruar: 15088
Vdekur: 663
KEDS-i me rrjet nëntokësor në lagjen “Pejton”

KEDS-i me rrjet nëntokësor në lagjen “Pejton”

Ekonomia August 11, 2020 - 14:34

Njëjtë si në pjesët tjera të Prishtinës, KEDS-i është duke i larguar të gjitha shtyllat elektrike dhe duke e vendosur rrjetin elektrik komplet nën tokë edhe në “Pejton”. Mbi 4500 konsumatorët e kësaj lagjeje do të kenë rrjet modern, të standardeve më të larta.

“KEDS-i aty kishte trashëguar një rrjet të stërvjetruar dhe që nuk i përmbushte nevojat e furnizimit të lagjes. Krijimi i fyteve të ngushta ishte theksuar edhe më tepër me faktin se ‘Pejtoni’ njihej si lagje me shtëpi njëkatëshe, ndërsa tashmë aty ka me dhjetëra ndërtesa të larta. Kabllot e rrymës nuk mjaftonin ta përballonin gjithë atë kërkesë të rritur, përderisa ishin stërvjetruar. Por tashmë gjithçka po ndryshon”, thuhet në njoftim.

Tashmë në kanalet kabllovike të hapura enkas janë të vendosura në “Pejton” mbi 26 mijë metra kabllo të tensionit 20 kV. Të njëjtën kohë konsumatorët do të kenë edhe linja rezervë alternative. KEDS-i njofton se kjo nënkupton që nëse dalja e tyre ka prishje, menjëherë furnizimi kalon në daljen alternative dhe konsumatori nuk ballafaqohet me mungesë të energjisë.

“Pra, me anë të modernizimit të rrjetit konsumatorët do të marrin shërbime dukshëm më kualitative dhe me të sigurta të energjisë elektrike”.

Investimet milionëshe në “Pejton” janë pjesë e megaprojektit që po zhvillon KEDS-i për Prishtinën. Pjesa më e madhe e rrjetit të Tensionit të Mesëm dhe një pjesë e konsiderueshme e Tensionit të Ulët deri vitin e ardhshëm do të vendoset nën tokë. Pas përfundimit të punimeve 90 mijë nga 120 mijë konsumatorët e Prishtinës do të kenë furnizim alternative.

KEDS-i premton se do të dyfishohen kapacitetet distributive përmes zëvendësimit të të gjitha kabllove, të cilat do të jenë të reja dhe me kapacitet 20 kV nga 10 kV sa janë tani.

Investimet shkojnë në 17 milionë euro. Pas përfundimit të këtyre investimeve rrjeti elektrik në kryeqytet do të jetë modern dhe kompakt me rrjetet më të avancuara evropiane. Prishtina nuk do të ketë nevojë më fare për investime në rrjetin elektrik distributiv për 30 vjetët e ardhshëm. /Zëri