OAK-u u bën thirrje deputetëve që të aprovohet kërkesa për pakon e sektorit privat

OAK-u u bën thirrje deputetëve që të aprovohet kërkesa për pakon e sektorit privat

Ekonomia August 12, 2020 - 09:56

Oda e Afarizmit e Kosovës thotë se ndihen të shqetësuar me gjendjen e të bërit biznes në vend dhe me vështirësitë që po has sektori privat gjatë operimit si pasojë e pandemisë.

Përmes një komunikate, OAK-u thotë se Qeveria dhe Kuvendi kishin një reagim të ngathët ndaj këtyre bizneseve.

“E shqetësuar për reagimin shumë të ngathët të Qeverisë dhe Kuvendit ndaj punëtorëve dhe bizneseve private, Oda e Afarizmit të Kosovës ka përcjellë edhe një herë të detajuara kërkesat e operatorëve ekonomikë te deputetët e Republikës së Kosovës nëpërmjet postës zyrtare në Kuvend”, thuhet në këtë komunikatë.

OAK-u kërkon edhe një herë nga deputetët që 300.000 të punësuarve t’u trajtohet kërkesa për pakon e re.

“Me qëllim të reflektimit dhe reagimit në kohë sa më të shkurtër kohore, Oda e Afarizmit e Kosovës u bën edhe këtë herë lutje deputetëve në emër të gati 300.000 punësuarve në sektorin privat dhe qindra bizneseve që të trajtohen kërkesat dhe të miratohet sa më parë pakoja e re, në mënyrë që të ofrohet përkrahje për punëtorët dhe bizneset për tejkalim të kësaj situate”, thuhet në komunikatë.

“Që nga muaji mars, kur zyrtarisht janë paraqitur rastet e para me COVID-19, tani e 5 muaj ende nuk kemi të finalizuar Pakon Emergjente, kurse ajo e rimëkëmbjes ende nuk ka kaluar, duke vendosur kështu në gjendje të vështirë sektorin privat nga mospërkrahja nga ana e shtetit. Duke marrë parasysh që sektori privat është gjeneratori kryesor i të hyrave edhe vendeve të punës në vendin tonë, ai aktualisht ndodhet në një pozitë shumë të rënduar edhe si pasojë e pandemisë”.

OAK-u rikujton se nuk është bërë asnjë përkrahje për bizneset për mbulimin e humbjeve, shpenzimeve operative ose me kredi të buta nuk kanë përfituar deri më tani.

“Siç e kanë bërë të gjitha shtetet në rajon dhe Evropë dhe nuk është ofruar përkrahje në mbulimin e humbjeve të shkaktuara si rezultat i ndërprerjes së veprimtarisë së bizneseve dhe rënieve drastike nga pandemia”, thuhet më tej në komunikatë.

OAK-u thekson kërkesat e këtyre bizneseve. Disa nga kërkesat e OAK-ut janë; TVSH-ja për ushqim, turizëm dhe hoteleri të ulet në 5%, ulja e normës së interesit në 1,7% nga Banka Qendrore e Kosovës, subvencionomi i pagave dhe qirave për bizneset e ndikuara, për ruajtjen e likuiditetit të kompanive është e rëndësishme që të alokohen 300 milionë euro në Fondin e Garancisë Kreditore, vazhdimi i shtyrjes së kësteve të kredisë dhe tatimeve edhe për 3 muaj të tjerë, të subvencionohet eksporti për 10%, të shumës së eksportuar, të lirohen nga të gjitha tatimet dhe taksat për prodhuesit, duke përjashtuar TVSH-në, nga data 01 qershor deri më 31 dhjetor. Gjithashtu OAK-u ka kërkuar që të ndryshohet Ligji për Tatime të Brendshme, ku të gjitha bizneset prodhuese të lirohen nga TVSH-ja në blerje të lëndës së parë, ashtu siç janë të liruara në rast se importojnë nga vendet e huaja.

Oda e Afarizmit të Kosovës u bën thirrje edhe këtë herë deputetëve që të analizojnë këto kërkesa dhe të propozojnë ndryshimet, në mënyrë që sektori privat të shpëtojë nga falimentimi, të ruhen vendet e punës dhe të sigurohet mbijetesa e operatorëve ekonomikë, që nënkupton mbijetesa edhe e shtetit. OAK-u gjatë seancave të mëhershme me shpresë se do të shqyrtohet pakoja për biznese ka marrë iniciativë, duke dalë para hyrjeve të Kuvendit dhe duke ua dorëzuar kërkesat deputetëve. /Zëri

Image