Në Kosovë shkalla e papunësisë në fillim të vitit ishte 25 për qind

Në Kosovë shkalla e papunësisë në fillim të vitit ishte 25 për qind

Ekonomia August 27, 2020 - 17:15

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore, sipas të cilës papunësia në Kosovë në tremujorin e parë të këtij viti ka qenë 25 për qind.

Sipas statistikave, në tremujorin e parë të vitit 2020, kur në Kosovë u regjistruan rastet e para me COVID-19, një pjesë e bizneseve nuk i kishin mbyllur aktivitetet dhe ndikimi në të dhënat e tremujorit të parë ishte shumë i vogël.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune.

“Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 38.8%. Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë (TM1) 2020 është 29.1%. Punësimi me i lartë është te meshkujt 44.0%, ndërsa punësimi te femrat është 14.1%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 55.5 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 43.2%”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Sipas këtyre statistikave sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 17.1%; prodhimi me 12.0%, arsimi me 10.7%; si dhe ndërtimtaria me 10.6%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

“Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 39.5% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 60.5% kanë kontratë të përkohshme. Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2020, shkalla e papunësisë është 25.0%.”, thuhet në komunikatë.

Në Kosovë papunësia më e theksuar është te gratë me 30.6%, krahasuar me meshkujt, 23.0%.

Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 46.4%.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2020, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 61.2%, me fokus të veçantë te femrat me 79.7 %, krahasuar me meshkujt, 42.9%./Zëri