Nis mbledhja e nënshkrimeve për të zgjatur orarin e punës në Gastronomi
Foto: Laura Hasani

Nis mbledhja e nënshkrimeve për të zgjatur orarin e punës në Gastronomi

Ekonomia September 01, 2020 - 10:53

Gastronomët janë ankuar se situata në bizneset e tyre po rëndohet, duke thënë se çdo ditë ka “vdekje ekonomike” dhe po detyrohen të largojnë punëtorë.

Sipas tyre Qeveria e Kosovës po e rrit buxhetin duke dënuar bizneset dhe qytetaret, në vend që të përdor metoda stimuluese dhe jo ndëshkues.

“Nuk i keni subvencionuar asnjë nga bizneset që t’i dënoni, prandaj duhet marrë shembull shtetet evropiane të cilët deri në 80% i kanë dal në ndihmë bizneseve. Gjithashtu shembull mund të merret edhe rajoni siç është Maqedonia e cila i ka subvencionuar pagat e punëtoreve për pesë (5) muaj më radhë”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gastronomëve.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës e sheh të panevojshme kufizimin e lëvizjes dhe vlerëson se nuk duhet të ndalohen bizneset që të punojnë në hapësira të mbyllura, përderisa shteti dhe institucionet e tij nuk ofrojnë asnjë ndihme financiare apo ndonjë alternative tjetër përkrahëse ndaj bizneseve të Gastronomisë në Kosovë.

Shoqata e Gastronomëve që nga nesër do të fillojnë të mbledh 10 mijë nënshkrime për të ndryshuar vendimin e Qeverisë.

“Shoqata e Gastronomëve të Kosovës që nga nesër do të fillojmë me mbledhjen e 10.000 nënshkrimeve për ndryshimin e vendimeve, prandaj kërkojmë që Qeveria të bëj një rivlerësim të situatës dhe të ketë parasysh disa nga kërkesat tona urgjente:

1. Thirrje të seancës në parlament për ta ndryshuar orarin

2. Të zgjatet orari i punës deri 00:00

3. Të lejohet puna në hapësira të mbyllura

4. Të përcaktohet një manual i saktë për respektimin e distancës dhe masave mbrojtëse në hapësirave të mbyllura

5. Të ndihmohen bizneset me pako ekonomike”, thuhet në reagimin e Gastronomëve.

Ata kanë paralajmëruar protesta nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

“Prandaj apelojmë tek Qeveria, Kuvendi dhe të gjitha institucionet e tjera që gastronomia të mos ketë me shumë dëme, përndryshe detyrohemi të vazhdojmë prapë duke protestuar deri në miratimin e kërkesave tona”, thuhet në reagim./Zëri